Masat e kufizimit në Gjermani mbeten deri më 20 dhjetor, është i mundur prolongim deri në janar

TË FUNDIT

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbrëmë deklaroi se me liderët e 16-të shteteve gjermane janë dakorduar që masat kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit të mbeten në fuqi deri më 20 dhjetor, duke shtuar se me siguri do të vazhdojnë edhe në janar.

“Numri i infeksioneve është ende shumë i lartë”, u tha Merkel gazetarëve, por shtoi se masat do të lehtësohen gjatë festave të Krishtlindjeve, transmetojnë mediat britanike.

Ajo shtoi se në Gjermani është duke u vendosur masa për mbajtjen e maskave në sipërfaqe të hapur, veçanërisht në vendet ku ka frekuentim të lartë të njerëzve ose në qendrat e qyteteve.

“Jemi akoma larg nga 50 të infektuar për 100,000 banorë në shtatë ditë. Jam e bindur dhe u dakorduam që duhet të synojmë këtë qëllim”, tha ajo.

Mediat britanike kujtojnë se Gjermania më 2 nëntor vendos  një “llokdaun” të ri për të luftuar valën e dytë të koronavirusit, e cila është përhapur në mënyrë dramatike në të gjithë Evropën.

Sipas masave të dakorduara, në tubimet private në Gjermani mund të marrin pjesë deri pesë person, duke mos llogaritur fëmijët, ndërsa për festat e Krishtlindjes do të lejohet tubimi deri më së shumti 10 persona.