Me stilolaps me ngjyrë të kaltër, duke rrethuar numrin që qëndron para emrit të njërit prej dy kandidatëve, 1.8 milion votues që janë në listë zgjedhore, nesër kanë të drejtë të votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve Presidenciale.
E si zakonisht një ditë para ditës së zgjedhjeve, sot u votua nëpër përfaqësitë diplomatike-konsullore në botë, në burgje dhe personat e sëmurë. Të drejtë vote kishin:
- 1781 votues të paraqitur në 32 përfaqësi diplomatike-konsullore
- 4407 persona të sëmurë ose pafuqishëm
- 1640 të burgosur në 13 shtëpi ndëshkuese-korrektuese
- 71 qytetarë që janë në shtëpi të pleqve
- 12 qytetarë që janë në paraburgim shtëpiak
- 7 votues të shpërngulur brenda vendit
Edhe në këtë raund të dytë nuk do të mungojë vëzhgimi i procesit nga OSBE/ODIHR, Asociacioni MOST dhe të tjerë.
“Sa i përket monitorimit, vrojtimit të zgjedhjeve, ekziston interes i madh edhe për raundin e dytë dhe sipas kërkesave për akreditim që kanë ardhur tek KSHZ gjithsej do të kemi 3381 vëzhgues të akredituar nga vendi, 520 vëzhgues të akredituar nga jashtë, 289 përkthyes dhe 60 gazetarë të jashtëm”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Admir Shabani.
Qytetarët që kanë nevojë të komunikojnë me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve mund të paraqiten në numrin pa pagesë 0800 555 444, ne te cilin mund të parashtrohen pyetje dhe të lihen komente për Komisionin. Parregullsitë dhe shkeljet e të drejtës së votimit mund të paraqiten edhe tek Avokati i Popullit në numrin falas 0800 54-321.
“Sa i përket qytetarëve të cilët kanë dëgjim dhe të folur të dëmtuar, KSHZ ashtu si në raundin e parë edhe në këtë raund do ta ketë aktive linjën telefonike me numër 076 488 360 tek e cila linjë këta qytetarë do të kenë mundësi që përmes video-thirrjeve të parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje duke e shfrytëzuar gjuhën me shenja në gjuhën maqedonase”, potencoi Admir Shabani, zëdhënës I Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Nga KSHZ gjithashtu u dërgojnë apel anëtarëve të këshillave zgjedhorë që të mos i pengojnë mediat që të marrin pamje dhe deklarata për informacionet teknike rreth rrjedhës së votimit.
Këto janë zgjedhjet e 6 presidenciale në Maqedoninë e pavarur, ndërsa zgjidhet presidenti i 5-të me radhë. Përveç Presidencialeve, rreth të dytë të zgjedhjeve nesër ka edhe në dy komuna të vendit, Ohër dhe Novo Sellë.
Përgatiti: Besir Arifi
