Modriç: Real Madridi më dha gjithçka, dua të rikthehem në Madrid dhe të jetoj atje

TË FUNDIT

Mesfushori i Milanit, Luka Modriç, ka deklaruar se klubi italian ishte skuadra e tij e preferuar që në fëmijëri, kur ndiqte futbollin italian.

“Milani është një nga klubet më të mira në botë. Është një klub historik, i cili ndoshta vitet e fundit nuk ka arritur rezultatet me të cilat të gjithë janë mësuar, por kjo nuk ndryshon asgjë. Mbetet një klub i madh dhe një nga më të dashurit në botë. Kjo ishte një nga arsyet e zgjedhjes sime. Kur isha fëmijë, ndiqja futbollin italian dhe Milani ishte skuadra ime e preferuar. Kur u shfaq kjo mundësi pas Real Madridit, nuk u mendova asnjë sekondë”, deklaroi Modriç për “AS”.

Kroati theksoi se nuk dëshiron të rikthehet te Reali i Madridit vetëm për të qenë pjesë e klubit, por për të punuar dhe për të qenë i dobishëm.

“Nuk dua të rikthehem te Reali i Madridit vetëm për të qenë atje. Dua të punoj dhe të jem i dobishëm. Madridi është qyteti im. Reali i Madridit më ka dhënë gjithçka dhe më ka sjellë shumë gjëra të mira. Dua të rikthehem në Madrid dhe të jetoj atje”, u shpreh ai.

Modriç, i cili më 9 shtator do të mbushë 41 vjeç, pavarësisht moshës vazhdon të jetë titullar i rregullt te Milani.

“Njerëzit flasin për moshën time që nga viti 2019. Atëherë thoshin se isha 33 apo 34 vjeç dhe se nuk mund të luaja më, edhe pse në atë periudhë po luaja futbollin më të mirë të jetës sime. Pas kësaj, fitova edhe dy Liga të Kampionëve, dola i treti në Kupën e Botës 2022 me Kroacinë, arrita në finalen e Ligës së Kombeve dhe fitova edhe trofe të tjerë”, tha Modriç.

“E vetmja gjë që ka rëndësi është ajo që bën në fushë. Nuk ka rëndësi nëse je 18, 30, 40 apo 50 vjeç. Nuk ka rëndësi. Mosha është vetëm një numër, por njerëzit e kanë kthyer atë në një obsesion”, shtoi ai.

Gjatë karrierës së tij, Modriç ka luajtur edhe për Tottenhamin, Inter Zaprešiçin, Zrinjskin dhe Dinamo Zagrebin.