Paralajmërimin e liderit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami që deklarimi i përkatësisë etnike në letërnjoftime të jetë opsional, dhe jo i detyrueshëm e ka komentuar koordinatori i grupit parlamentar opozitar ASH-AAA, Skender Rexhepi – Zejdi.
Në emisionin #ClickPlus, Zejdi tha se ky variant është “edhe më keq”.
“Ne e mbështetëm propozimin që në letërnjoftim të shënojë grafa etnike ku detyrimisht duhet që çdo qytetar ta deklarojë përkatësinë etnike. Në këtë mënyrë, edhe ajo që propagandohej me këtë ndryshim, do të zinte vend. Qëllimi i grafës etnike ishte që maqedonasit të mos mund ta zenë vendin e punës së shqiptarëve, duke u deklaruar si shqiptarë. Nëse tani e lemë që kjo të jetë vullnetare, atëherë i bie që maqedonasit fare nuk deklarohen dhe përsëri do e zënë vendin e punës”, tha Zejdi.
Ai shton se kjo “është një lojë e kryeminisrit që e ka bërë me partnerin e koalicionit, që shqiptarët përsëri të jenë humbës”. Ndërkaq njoftoi, se ata nuk do të jenë dakord që të përkrahim këtë opsion.
“Ishim dakord që ai të jetë i detyrueshëm”, tha Zejdi.
Përndryshe, se grafa etnike mund të jetë opsionale e tha dje vetë Kasami për TV21, duke shtuar se për arritjen e një kompromisi për këtë çështje, ende po koordinohen me partnerin e koalicionit, Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë.
Nga ana tjetër, ambasadori i Bashkimit Evropian në end, ka deklaruar në disa raste se vendosja e etnisë në letërnjoftime është në kundërshtim me rregulloren e BE-së./TV21
