Besa e gatshme, etnia në letërnjoftime sipas dëshirës!

TË FUNDIT

Partnerët e koalicionit, Lidhja Socialdemokrate dhe Lëvizja Besa, ende po koordinohen se si do të jetë versioni përfundimtar për grafën etnike në letërnjoftime. Kreu i Besës Bilall Kasami beson se kjo do të ndodhë së shpejti, ndërsa shton se janë të gatshëm të merren vesh që shënimi i etnisë në letërnjoftime të mos jetë e detyrueshme.

 “Jemi të hapur edhe më tej për debat. Për informim të opsionit si pjesë e këtij debati nga ajo që të jetë e detyrueshme grafa etnike për të gjithë qytetarët, ne kemi treguar fleksibilitet që kjo të jetë me kërkesë të qytetarëve, që të mos jetë si element diskriminues ndaj qytetarëve që nuk duan të paracaktojnë përkatësinë e tyre në letërnjoftime”, tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Pr/ligji për dokumentet personale për momentin është në procedurë parlamentare. Ende priten amendamente nga deputetë, ndonëse 2 deputetët e “Së Majtës” kanë dorëzuar 1200, por Kasami thotë se po rishikohen mundësitë për tejkalim të kësaj pengese.

“Në bazë të rregullores së parlamentit ne do të shohim mundësinë që debati për këto amendamente të cilat në momente të caktuara janë absurde, të shkurtohet në maksimum dhe sa më shpejtë ligji të vijë në seancë plenare”, shtoi Kasami.

Kreu i Besës siguron se Zaev nuk është tërhequr nga marrëveshja për koalicion për grafën etnike në kartën e identitet. Vlerëson po ashtu se kjo nuk e pengon eurointegrimin, e këtë thotë se e kanë sqaruar edhe me ambasadorit BE-së, Dejvid Gir, që e takoi ditë më parë.

Por Gir në intervistë për TV21 vazhdon të theksojë se rregullativa evropiane e ndalon një gjë të tillë, e me këtë duhet të pajtohet çdo vend kandidat.

“Në BE, legjislacioni përkatës quhet Rregullorja e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave dhe ndalon përpunimin, domethënë transferimin dhe ruajtjen e të dhënave personale mbi kombësinë, racën, fenë ose përkatësinë politike, orientimin seksual dhe disa elementë të tjerë. Këto janë standarde të BE-së”, deklaroi Ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.

Kasami thotë se për momentin nuk ka asnjë vërejtje ku shkruhet se grafa etnike në letërnjoftime pengon integrimin e vendit në BE.

Nëse eventualisht vjen ndonjë vërejtje, thotë se janë të gatshëm për të vazhduar debatin për të gjetur variant më të mirë që etnia të shkruhet në letërnjoftime.

TË NGJAJSHME