Pamjet tregojnë se këtu nuk kemi thjeshtë një deponi me mbeturina, por një mal mbeturinash. Fatkeqësisht të njëjtat digjen që të pakësohen, ndërsa kjo deponi gjendet në Sllatinë të komunës së Tearcës.
Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Sllatinë, Daut Imeri për TV21 tha se kjo deponi ka 30 vite që gjendet aty.
“Ato mbeturina janë përafërsisht 30 vite që hidhen aty se s’kanë edhe ku t’i hedhin. Çdo gjë që digjet pengon, ajrin e ndotën. Del në park aty vjen ajri i ndotur, ka tym, çka nuk digjet”, u shpreh Daut Imeri – Kryetar i Bashkësisë Lokale-Sllatinë.
Sipas banorëve mbeturinat hidhen pasi që komuna Tearcës nuk ka ndërmarrje për grumbullimin e mbeturinave, por i ka dhënë tender një kompanie e cila vjen një herë në dy apo tre javë për t’i grumbulluar, dhe se askush nuk mund t’i mbajë mbeturinat për aq kohë në shtëpi.
“Është një ndërmarrje ka një tender të komunës, më duket se është nga Bogovina dhe ndodhë që edhe me muaj nuk vijnë t’i marrin. Dy jave, tre, zakonisht nuk vinë t’i marrin ne si bashkësi lokale jemi ankuar edhe në inspektoratin komunal. Ata na thonë se nuk mundemi dhe nuk kanë kushte. S’kan ku ti hedhin dhe popullata nuk i ka fajet, ndërsa pagesat bëhen”, tha Daut Imeri.
Kontaktuam edhe kryetarin e komunës së Tearcës Isen Asanin i cili në një bisedë telefonike nga tha se për momentin nuk është në komunë, ndërsa për çështjen e mbeturinave na propozoi që rastin ta paraqesin në inspektoratin komunal, duke mos na dhënë asnjë sqarim nëse ka në plan që të ndërmarr ndonjë aksion për t’i pastruar mbeturinat.
