Makinat zyrtare ishin në kolonën e krushqve? LSDM-ja me akuza, VLEN-i thotë se është pjesë e traditës

TË FUNDIT

Shkoi në dasmë në Kosovë me makinat zyrtare dhe përcjellje sipas protokollove të parapara të sigurisë, por kjo e shkuar në aheng i solli plot reagime kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi. Kjo për shkak se makinat zyrtare u panë bashkë me makina të tjera të krushqve që po merrnin nuse.

Si nga Kuvendi po ashtu edhe nga koalicioni VLEN, nga ku vjen Gashi, thonë se nuk është bërë asnjë shkelje ligjore në këtë udhëtim të të parit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Shkuarja ka qenë në përputhje me të gjitha procedurat e parapara sipas ligjit, ndërsa për këtë ka qenë e njoftuar edhe MPB-ja dhe MPJ-ja, sqaruan nga Kabineti i Gashit.

Po i pyetur nëse është etike që makinat zyrtare me kryeparlamentarin ishin në mesin e kolonës së krushqve, zëdhënësi i koalicionit VLEN, Fari Hiseni, me përgjigje:

“Është pjesë e traditës të cilën gjithmonë e kemi praktikuar! Nuk është që bëhet ndonjë pengesë në komunikacion, është pjesë e traditës tonë që praktikohet në çdo dasmë tonën”, tha Fari Hiseni, zëdhënës i VLEN.

Nga LSDM-ja opozitare kërkojnë llogaridhënie nga kryeparlamentari dhe MPB-ja se a është etike të marrësh nusen në shtetin fqinj me veturë zyrtare?!

“Mbi çfarë baze është dhënë urdhri dhe për sa ditë? Ne kërkojmë që urdhrat, natyrisht nëse ekzistojnë, të bëhen publike. Qytetarët nuk u besojnë më fjalëve të Toshkovskit dhe MPB-së, duhen dëshmi. Më tej duke pyetur skandalistin Gashi, të përgjigjet para qytetarëve, a është etike të marrësh nusen në Kosovë me veturë zyrtare? A e di ai që mund të udhëtojë me automjet privat edhe pse sigurimi i tij mund të përdorë automjete zyrtare? A e di ai që është poshtërim për shtetin që personi i rangut të dytë të shkojë në dasma dhe nuse me makinë kompanie në vendet fqinje?”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënese e LSDM-së.

Në lidhje me këtë, partneri qeverisës i VLEN-it, VMRO-DPMNE-ja, dolën me një komunikatë ku thonë se

bartës i një pozicioni si ai i kryparlamnetarit pasohet nga një protokoll i detyrueshëm dhe shoqërim i vazhdueshëm. Në të kundërtën, sipas DPMNE-së, do të përbente një vepër e sanksionueshme.

“Sipas LSD-së, a është dashur të shkelen ligjet në rastin e Afrim Gashit? Ky vend ka institucione. LSD-ja e ka të vështirë të kuptojë pse në kohën e tyre ministrat luanin futboll në zyrë gjatë orarit të punës, policët goditnin karrotrecët, gjuhej me kallashnikovë në prani të Ahmetit, e Oliver Spasovski u jepte pasaporta mafiozëve”, thotë VMRO-DPMNE.

Duke folur rreth zhvillimeve të fundit në raport me kryeparlamentarin dhe Ministrinë e Brendshme, Kreshnik Bekteshi nga opozitarja Fronti Europian, në “Daily Click” të TV21, i doli në mbrojtje Afrim Gashit duke thënë se kryetari i Kuvendit është korrektues i ministrive dhe se ministritë nuk mund t’i kërkojnë llogari njeriut të dytë në shtet.

“Nuk është MPB institucion që i kërkon llogari kryetarit të Kuvendit, kryetari i Kuvendit me hierarki në shtet është njeriu i dytë, sa i përket qeverisjes, është Kuvendi dhe kryetari i Kuvendit të cilët e kontrollojnë punën e qeverisë. Nuk është kryeministri, e më së paku ministri i Punëve të Brendshme që mund t’i kërkojë llogari kryetarit të Kuvendit”, tha Kreshnik Bekteshi. 

Për rastin e përdorimit të makinave zyrtare për dasëm, nga MPB dje njoftuan se po bëhet kontroll nëse Kryetari i Kuvendit ka keqpërdorur automjetet, të cilat në fakt përdoren me urdhër të posaçëm udhëtimi, me arsyetim për qëllimin për të cilin përdoren automjetet, kohëzgjatjen dhe kostot e udhëtimit.