Macron pritet të emërojë sot kryeministrin e ri francez

TË FUNDIT

Presidenti Emmanuel Macron pritet të emërojë ditën e sotme kryeministrin e ri, i cili do të zëvendësojë Michel Barnier.

Rrëzimi i Barnier e zhyti Francën në një krizë të re.

Barnier u rrëzua në një votim historik mosbesimi më 4 dhjetor dhe kishte pritshmëri që Macron të shpallte pasardhësin e tij në një fjalim drejtuar kombit një ditë më vonë.

Por pas ngërçit të krijuar në politikën francize, Macron nuk e emëroi menjëherë kryeministrin e ri.

Të enjten, Macron u largua nga Franca në një udhëtim njëditor në Poloni.

“Deklarata për emrin e kryeministrit do të publikohet nesër (të premten) në mëngjes”, tha një ndihmës i presidentit të enjten vonë, pak pasi Macron u largua në Poloni.

“Ai po përfundon konsultimet e tij,” shtoi ndihmësi, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Kushdo që emërohet do të jetë kryeministri i gjashtë i mandatit të Macron pas përmbysjes së Barnier, i cili qëndroi në detyrë vetëm tre muaj.

Kryeministri i ri përballet me një sfidë të menjëhershme në bërjen e një buxheti për të kaluar në parlament.

Nga ana tjetër, edhe Macron po përballet me sfida të vështira.

Të gjithë kandidatët e përfolur deri më tani për kryeministër kanë hasur në kundërshtime nga të paktën njëra anë e spektrit politik.

Zgjedhja kryesore e përfolur e Macron, është François Bayrou, por ai po shkakton reagime si nga e majta ashtu edhe nga e djathta.

Emra të tjerë që po konsiderohen përfshijnë ish-kryeministrin Bernard Cazeneuve, ministrin aktual të mbrojtjes Sebastien Lecornu, si dhe ish-ministrin e jashtëm Jean-Yves Le Drian.

Rënia e qeverisë ka rritur presionin mbi Macron pasi ai thirri zgjedhje të parakohshme në fillim të këtij viti, të cilat dhanë efekt të kundërt për të.

Partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e Macron në mes të krizës politike dhe ekonomike, me një buxhet të vitit 2025 që ende nuk është miratuar nga parlamenti.

Megjithatë, presidenti në një fjalim televiziv tha se do të qëndrojë “deri në fund” të mandatit të tij pesëvjeçar, deri në maj 2027./vizionplus.tv