Gjykata Themelore Penale në Shkup ka shqiptuar masa edukative-korrektuese për katër të miturat e përfshira në rastin e dhunës ndaj një vajze 13-vjeçare në Gjorçe Petrov.
E mitura e akuzuar e para është dënuar me një vit qëndrim në shtëpi edukative-korrektuese, ndërsa tri të tjerat me nga tetë muaj. Vendimi ende nuk është i formës së prerë dhe pritet të hartohet me shkrim e t’u dorëzohet palëve. Rasti kishte shkaktuar reagime të shumta pas publikimit të pamjeve ku vajza shihej duke u goditur me grushte e shqelma. Ndërkohë, policia kishte ngritur edhe gjashtë kallëzime penale ndaj prindërve të të miturave, për neglizhencë dhe keqtrajtim të fëmijës.
