Kanë mbetur vetëm edhe një javë nga zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe, nga rezultati i të cilave do të varët se a do të mbetet vendi edhe më tutje anëtar i Bashkimit Evropian, apo se a do të ja kthejë shpinën unionit.
Anketat dëshmojnë se zgjedhjet që do të zhvillohen të enjten e ardhshme do të jenë më të paparashikueshmet në historinë e Britanisë.
Sipas anketave më të reja, konservatorët e Kryeministrit Dejvid Kameron kanë një epërsi prej vetëm një për qind ndaj laburistëve, të kryesuar nga Ed Miliband.
Megjithatë, nuk duhet të nënçmohet as ndikimi i Partisë Kombëtare të Skocisë dhe Partisë së Pavarur të Britanisë në drejtimin politik, në të cilin Britania do të lëvizë në të ardhmen.
Rejtingu aktual nuk i premton Kameronit një mandat të ri si Kryeministër. Partia e tij pritet të fitoi më së shumti ulëse në Parlament, por kjo nuk do të mjaftojë për të formuar qeverinë. Në rast të fitores, Kameron ka premtuar organizimin e një referendumi për mbetjen apo jo të Britanisë në Bashkimin Evropian.
Partia Kombëtare e Skocisë parashikohet se do të arrijë një rezultat historik, i cili me gjasë do të ringjallë lëvizjen për pavarësi. Kjo parti angazhohet për forcimin e lidhjeve me Bashkimin Evropian.
Në anën tjetër, Najxhëll farazh, udhëheqësi i partisë së ekstremit të djathtë, Partia e Pavarur e Britanisë, gjatë fushatës po mbështetet në qëndrimet euro-skeptike dhe kërkon daljen e Britanisë nga unioni, e që sipas tij Britania mund të përparojë vetëm në këtë mënyrë dhe vetëm nëse mbyll dyert për imigrantët.
Laburistët e Milibandit kanë premtuar se në rast të fitores do të reformojnë sistemin e shëndetësisë dhe kanë theksuar se Britania do të mbetej pjesë e Bashkimit Evropian./21 Media/
