LSDM: Hungaria zgjodhi Evropën! VMRO-DPMNE: S’keni luks për të humbur kohë me zgjedhje në vende të tjera

TË FUNDIT

Pas zgjedhjeve parlamentare në Hungari dhe fitores së partisë opozitare Tisza të udhëhequr nga Péter Magyar, në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar dy partitë kryesore politike me qëndrime të kundërta, përcjell TV21.

LSDM ka vlerësuar se rezultati zgjedhor në Hungari përfaqëson një fitore të qartë të forcave pro-evropiane dhe të demokracisë. Në reagimin e saj, partia thekson:

“Qytetarët e Hungarisë kanë thënë qartë dhe me zë të lartë: MJAFT më me autokraci! … Kjo është një fitore e demokracisë mbi autokracinë”, thonë nga LSDM.

Në të njëjtin reagim, LSDM e interpreton ndryshimin politik në Budapest si sinjal për ndryshime në rajonin tonë.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka reaguar duke kritikuar LSDM-në për fokusimin në zhvillimet e jashtme dhe duke kërkuar përgjegjësi politike në vend. Në deklaratën e VMRO-së, kërkohet që kreu aktual i partisë opozitare, Venko Filipçe të fokusohet në reforma të partisë:

“Për momentin nuk ke luks të humbasësh kohë me zgjedhje në vende të tjera”, thonë nga VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE gjithashtu akuzon opozitën për, siç thotë ajo, lidhje të vjetra politike dhe kërkon që LSDM të “distancohet nga Zoran Zaev”.