Një rrjet kriminal që po operonte në një skemë online është shkatërruar pas hetimit të përbashkët mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Austrisë, me ndihmën e Europolit dhe Eurojustit. Operacioni rezultoi me arrestimin e 10 personave, u kryen bastisje dhe u sekuestruan afër 900,000 euro para.
Sipas njoftimit të Europolit, rrjeti kriminal operonte në disa qendra thirrjesh që njihen si “call center” në Tiranë. Ato besohet se kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare me një total prej 50 milionë eurosh. Qendrat e thirrjeve ishin organizuar profesionalisht, duke u dukur si struktura të ligjshme biznesi.
Viktimat tërhiqeshin nga platforma investimesh që dukeshin ligjore, përmes reklamave mashtruese në rrjetet sociale. Pas regjistrimit fillestar me ndërmjetësit e rremë, viktimave u caktoheshin “agjentë” që imitonin ndërmjetësit e investimeve.
Këta agjentë më pas menaxhuan llogaritë e viktimave për periudha të gjata, shpesh duke përdorur softuer me qasje në distancë për të fituar kontroll të plotë mbi pajisjet elektronike të viktimave. Mashtruesit hiqeshin sikur ekspertë profesionale dhe përdornin presion prikologjik për t’i bindur viktimat të investonin, duke u premtuar më pas përfitime. Në të vërtetë, fondet nuk u investuan kurrë, por u kanalizuan në një skemë ndërkombëtare të pastrimit të parave, ku paratë zhdukeshin në duart e organizatës kriminale.
Operuesit ishin të organizuar nëpër ekipe, secili me cak njerëzit që flisnin gjuhën e tyre. Gjuhët që mbulonin ishin gjermanisht, anglisht, italisht, greqisht dhe spanjisht.
Si rezultat i skemave mashtruese, viktimat transferuan shumë para, me totalin që kaloi 50 milionë euroshin.
Hetimi nisi nga autoritetet austriake për shkak të numrit të lartë të viktimave që u identifikuan në Vjenë në qershor 2023. Më 2024, Austria përmes Europolit iu adresua autoriteteve shqiptare me kërkesë për informacion rreth një IP adrese të dyshimtë që përdorej nga një prej kriminelëve me lokacion në Shqipëri. Pas kërkesës, Shqipëria nisi hetim.
Me mbështetjen e Eurojustit nisi një hetim i përbashkët që çoi në aksionin e koordinuar më 17 prill 2026. Bastisjet çuan në arrestimin e dhjetë personave në Tiranë, ku u bastisën tri qendra thirrjesh dhe nëntë shtëpi private. Nga to u sekuestruan 891,735 euro, 443 kompjuterë, 238 telefona, 6 laptopë.
