LSDM, partia të cilës i takon i pari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski është distancuar nga deklaratat dhe veprimet e këtij të fundit, deklaroi zëdhënësi i partisë, Kostadin Kostadinov.
“Sigurisht se distancohemi nga deklaratat e Maksim Dimitrievskit dhe nga sjellja e tij gjatë ditëve të fundit. Qeveria e udhëhequr nga LSDM mbetet e përkushtuar në tërësi në gjendjen shëndetësore në Kumanovë, por edhe në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut. Deklaratat, ‘Se a do të thotë ajo regjim i ri?’, nuk do t’i ndalojnë institucionet të veprojnë sipas ligjit dhe për këtë Maksim Dimitrievski duhet ta dijë se në shtetin tonë ligjet vlejnë njëjtë për të gjithë”, tha Kostadinov, njofton TV21.
Nga ana tjetër, Dimitrievski dje me të kuptuar informacionin se ndaj tij është ngritur padi penale, ka pyetur “A do të thotë kjo se kemi hyrë në regjim të ri?”. Ai paditet se ka shkelur protokollit për parandalim dhe shërim nga virusi korona.
