Disa me lopata, disa me makineri dhe të tjerët me duar. Kështu llabunishtasit vetë u ngritën dhe e pastruar deponinë në fshat. Grumbujt e mbeturinave në këtë vendbanim afër Strugës me vite kanë qenë shqetësim për banorët, aq më shumë gjatë pranverës dhe verës kur i vihej flaka dhe kundërmonte e gjithë zona.
Banorët dhe organizata ekologjike disa herë kanë kërkuar që të pastrohet, por pasi çdo kërkesë e tyre tek autoritetet hasi në vesh të shurdhët, në fund i përveshën mëngët dhe e pastruan vetë, duke bashkëpunuar me Higjienën Komunale Llalbunishtë.
“Me një aksion të madh është zgjidhur një problem shumë vjeçar në Llabunisht, është pastruar deponia e egër e cila ishte në afërsi të fshatit dhe për këtë shpreh falënderim për bashkësinë lokale, organizatat ekologjike të Lalbunishtës, qytetarë dhe pronarët e kompanive të cilët kanë makineri ndërtimi”, pohoi Fatmir Mahmudovski, drejtor i Higjienës Komunale Llabunisht.
Nga Llabunishta mbeturinat çohen në deponinë e Strugës, gjë që kryhet pa asnjë pengesë.
“Mbeturinat nga Llabunishta po transportohen në deponinë e Strugës me vendim të bordit drejtues të higjienës komunale, ja tanimë më një muaj e gjysmë pa ndërpresë po transportojmë dhe nuk kemi asnjë problem dhe gjithçka shkon siç duhet”, tha Fatmir Mahmudovski, drejtor i Higjienës Komunale Llabunisht.
Nga organizata “Natura Lab” bëjnë me dije se në vendin ku ka qenë deponia e egër janë vendosur kamera në të gjitha anët dhe vendi po vëzhgohet 24/7 për të parë nëse eventualisht dikush hedh mbeturina në pjesën që është pastruar.
Një problem tjetër me të cilin përballen banorët e Llabuishtës dhe për të cilin TV21 ka raportuar disa herë janë edhe guroret shumë afër fshatit, të cilat një periudhë u ndërprenë, por sërish kanë filluar me punë pas një vendimi gjyqësor.
