Dega e Lëvizjes Besa nga Zhelina ka reaguar lidhur me zgjidhjen e problemit të ngrohjes në shkolla. Sipas tyre, 15 nëntor ka qenë dita përfundimtare kur problemi i ngrohjes nëpër shkolla është dashur të zgjidhet, pasi që nxënësit nuk mund të vijojnë procesin arsimor pa ngrohje.
Sipas kësaj partie, është skandaloz fakti se në shumë shkolla të Komunës së Zhelinës ende nuk janë siguruar kushtet elementare për ngrohjen e hapësirave, ku po zhvillohet procesi arsimor. Siç thuhet në kumtesë Lëvizja BESA e dënon ashpër sjelljen skajshmërisht të papërgjegjshme të BDI-së, e cila duke u marrë me interesa të imta partiake i ka lënë nxënësit pa ngrohje.
“Organet përkatëse janë të obliguara ligjërisht t’i sigurojnë këto kushte para se të fillojë viti shkollor, andaj Lëvizja BESA – Zhelinë reagon ashpër ndaj politikës së dëmshme të udhëheqësve të shkollave, Komunës dhe Këshillit Komunal, por edhe ndaj indiferencës së plotë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të vet ministrit të BDI-së, Abdilaqim Ademi”, thuhet në kumtesë.
Lëvizja BESA – Zhelinë kërkon që urgjentisht të sigurohen kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. Sipas tyre, ky problem nuk pret analiza e sqarime, por kërkon zgjidhje të menjëhershme.
