LAHAJ: ORKESTRA JOKORREKTE DHE JOPROFESIONISTE, OBM: TENORI VENDOSI KONCERTIN TA MBAJË PA ORKESTËR

TË FUNDIT

Tenori shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj, të enjten në mbrëmje performoi para publikut të Shkupit në sallën e Operës dhe Baletit. Ndonëse plani ishte që Lahaj në skenë të shoqërohej nga Orkestra e Operës dhe Baletit kjo gjë nuk ndodhi. Ai në skenë doli vetëm me pianistin Genc Tukiqi dhe disa muzikantë tjerë. Për KTV Lahaj ka shpjeguar se orkestra nuk ka qenë korrekte dhe profesioniste, andaj ka vendosur që koncertin të vazhdojë vetëm me Genc Tukiqin.

“I kam dëgjuar këto thashetheme e koncerteve paraprake që ndonjëherë orkestrat maqedonase mos me qenë profesioniste ose korrekte janë në pyetje aktivitete shqiptare, tani unë vetëm e vërtetova  derisa erdhëm në një pikë ku unë e anuloj koncertin me orkestrën, mandej në momentin e fundit e morëm Gencin. I njëjti problem na ka ndodh me procedurën e biletave të shitjes online, herë ka pas bileta herë janë hequr biletat, për atë edhe keni mundur ta shihni sallën sot” u shpreh Ramë Lahaj Tenor

Drejtori Artistik i Festivalit “SKENA E MUZIKËS SERIOZE SHQIPTARE” Fatos Lumani, nuk deshi të flas kamerës, por në qëndrimin e tij me shkrim, tha se vetë tenori dhe dirigjenti i tij nuk e kanë pëlqyer nivelin e orkestrës, andaj e kanë refuzuar.

“Nuk dëshirojmë të mendojmë me retorikë nacionaliste, edhe pse koha e zgjedhjeve gjithmonë e çon ujin nga ky drejtim. Nuk mund t’i pohojmë dhe as t’i mohojmë arsyet e mospërgjigjes së kërkesave në moment të caktuar dhe në nivel të caktuar të orkestrës ndaj dirigjentit. Atë që mund ta them me siguri është se kishte përkushtim dhe vullnet të mirë nga drejtori i OBM, Vaso Ristov dhe udhëheqësia e këtij institucioni, që ky koncert të realizohej me orkestrën e këtij institucioni. Kjo gjë na bën që në të ardhmen të vazhdojmë bashkëpunimin me këtë institucion” theksoi Fatos Lumani, drejtor Artistik i Festivalit skena e muzikës serioze shqiptare

Drejtori i Operës dhe Baletit Vaso Ristov nuk ia hapi telefonin Televizionit 21, por në një njoftim për media edhe ai tha se tenori dhe organizatori vendosën që orkestra të mos marrë pjesë në këtë koncert.

“Orkestra e OBM ka qenë e angazhuar me qira si mbështetje muzikore të tenorit Ramë Lahaj. Për shkak të arsyeve teknike dhe mungesës së kohës për muzikë dhe shtrirjes teknike, organizatori dhe tenori vendosën që koncerti duhet të mbahet pa e angazhuar orkestrën e OBM” thuhet në komunikatën e Operës dhe Baletit

TV21 pyeti edhe Ministrin e Kulturës Asaf Ademin. Ai tha se ka qenë i pranishëm  në sallë dhe se kishte pritur që në skenë të jetë orkestra, por edhe ai më vonë e kishte kuptuar se vetë organizatori dhe dirigjenti i tenorit kanë vendosur që koncertin ta mbajnë pa orkestër. Ademi tha se gjithçka tjetër ka qenë në rregull dhe se me shumë kënaqësi e ka shijuar koncertin. Ndryshe Ramë Lahaj është një nga tenorët më të shquar botëror të brezit të tij dhe ka fituar vlerësimin prestigjioz të operës.

PËRGATITI: ARBANA Q KLIMENTA