Prokuroria ngre aktakuzë për spiunazh dhe shantazh ndaj Fatmir Shehollit

TË FUNDIT

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për dy vepra penale, “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Në bazë të aktakuzës, Sheholli, nga një periudhë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, dyshohet se ka mbështetur veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.

“I pandehuri F.Sh. akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Po ashtu, F.Sh. akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, Sheholli i ka kërkuar të dëmtuarit para duke i paraqitur ato si huazim, ndërsa e ka kërcënuar se në rast të mosdhënies së parave do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që, sipas pretendimeve, do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit.

Ndërkohë, rasti është proceduar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë. I pandehuri aktualisht ndodhet nën masën e paraburgimit. /21Media