Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, asamblistë, drejtorë e aktivistë të këtij subjekti politik në Prishtinë, por edhe deputetë të Aleancës kanë qëndruar edhe sot para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar që kryeministri në detyrë i Kosovës, së bashku me ministrat ta lirojë objektin, pasi janë uzurpatorë.
Ata kanë kërkuar nga Kurti që mos ta shkel Kushtetutën por të shkoj në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e seancës konstituive.
Asamblistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fjolla Vukshinaj-Reçica, deklaroi se mosfunksionimi i Kuvendit nuk është vetëm çështje e debatit politik, por një bllokadë që, sipas saj, po prek drejtpërdrejt qytetarët, komunat dhe projektet zhvillimore.
“Bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është një debat abstrakt politik. Nuk është vetëm një derë e mbyllur në këtë ndërtesë. Pas çdo dite që Kuvendi mbahet i bllokuar, është një qytetar që pret, një familje që ka një hall, një komunë që ka një projekt dhe një nevojë që mbetet pa zë”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se Kurti me ministrat e tij janë uzurpatorë dhe se Kosova po stagnon e që pasojat po i ndjejnë qytetarët.
“Jemi këtu për të përsëritur edhe një herë kërkesën tonë për kthim të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë. Pra, ne po i themi sot troç, Albin Kurtit dy gjëra. E para që ai dhe ministrat e tij, të cilët janë në këtë objekt, janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë këtë objekt. Dhe e dyta ata duhet të kthehen në Kuvend e t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit. Pra, Kosova po stagnon dhe me të drejtë e tha sot edhe asamblistja e komunës së Prishtinës sepse pasojat po i ndjejnë qytetarët e Republikës. Pra, dëmi është shumë i madh dhe ka vetëm një njeri që sot nuk lodhet për stagnimin në të gjitha drejtimet që e ka Republika e Kosovës. Prandaj nga këtu i themi deputetit Kurti që të kthehet në Kuvend, t’i hap rrugë krijimit të institucioneve të reja sepse Kosova është projekt shekullor i shumë brezave dhe nuk mund ta shkatërroj askush, as deputeti Kurti”, tha ajo.
Ndërsa, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se Kurti është shkelës recidivist i Kushtetutës dhe se ka bllokuar konstituimin e Kuvendit.
“Porosia është shumë e thjeshtë që shkelësi recidivist i Kushtetutës vazhdon të struket në zyrën e vet. Ai 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës ua ka marrë mandatin që ja ka dhënë populli. Ai një njeri i vetëm nuk lejon që të ushtrojmë detyrën tonë si të zgjedhur të popullit, të votuar nga sovrani në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai e ka bllokuar konstituimin e Kosovës me të vetmin qëllim me e gjet diku një derë në mënyrë që edhe pozicionin e presidentit me e kap për partinë e vet dhe me e kthyer logjikën e partisë që e udhëheq parti shtet. Mandati është i yni, i deputetëve që na ka dhënë populli. Këtë mandat nuk guxon as Albin Kurti as askush tjetër na e merr dhe veprimet që po e pengojnë moskonstituimin e Kuvendit”, tha ai.
