Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr Sirinë nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin, duke i dhënë fund një përcaktimi dekadash të vjetër që shoqërohej me kufizime të ashpra ekonomike.
Departamenti i Shtetit gjithashtu revokoi përcaktimin e Frontit Al-Nusra — i njohur më vonë si Hay’at Tahrir Al-Sham (HTS) — si organizatë terroriste globale, ndërsa Departamenti i Thesarit njoftoi lehtësimin e sanksioneve.
Rebelët e udhëhequr nga HTS rrëzuan Bashar Assad në dhjetor 2024, me Ahmed Al-Sharaa që mori detyrën si president.
“Veprimi i sotëm do të ndihmojë në nxitjen e investimeve shtesë në Siri për të promovuar stabilitetin politik dhe ekonomik”, tha Sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Ai theksoi se masat janë “në përputhje me premtimin e Presidentit Donald Trump për të lehtësuar sanksionet ndaj Sirisë”.
Presidenti sirian Ahmed Al-Sharaa e përshkroi vendimin si “heqjen e një njolle të errët” dhe hapjen e një kapitulli të ri për zhvillim e rindërtim.
Ministri i Jashtëm Assad Al-Shaibani e cilësoi si “moment historik” që pasqyron angazhimin e shtetit të ri sirian ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Ministri i Financave Mohammed Barnieh e quajti “sukses për diplomacinë siriane”, ndërsa guvernatori i bankës qendrore Safwat Raslan e vlerësoi si një hap që e rikthen vendin në sistemin ekonomik global.
HTS, dikur dega e Al-Kaedës në Siri, i ndërpreu lidhjet me grupin xhihadist në vitin 2016. Heqja e Sirisë nga lista u pa si një votë besimi në udhëheqjen e Sharaa.
Në samitin e NATO-s në Turqi, Presidenti Trump u takua me liderin sirian, i cili po përpiqet të rimodelojë veten si figurë unifikuese pas rrëzimit të regjimit Assad.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se ky veprim “eliminon pengesat kryesore për investimet e sektorit privat në Siri dhe nxit rimëkëmbjen ekonomike”.
Zyrtarët sirianë e përshkruan si një mundësi të madhe për vendin, ende të shkatërruar pas më shumë se një dekade lufte civile që sipas grupeve të të drejtave të njeriut vrau mbi gjysmë milioni njerëz.
