Lagja “Llamellat” në Kërçovë me rrugë të shkatërruara!

TË FUNDIT

Rrugë me gropa, vetura të parkuara vend e pa vend, parku me mbeturina dhe shatërvani i shkatërruar.

Kjo është gjendja e Lagjes tek Llamellat në Kërçovë. Banorët thonë se për herë të fundit këta rrugica janë asfaltuar kur janë ndërtuar banesat në këtë lagje.

Banorët për TV21 thanë se disa herë kanë kërkuar nga autoritete për ndërtimin e rrugëve në këtë lagje por kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër.

 “Kemi kërkuar që të rikonstruohet, por megjithatë nuk kemi gjetur mirëkuptim nga organet. Unë jam këtu nga viti 87-të më mirë ose më keq, kohë pas kohe do të sanojnë ndonjë gropë siç mund ta shihni dhe kjo është e gjitha. Reagojnë më shumë para zgjedhjeve, të thash më the dhe më pas çdo gjë harrohet”, tha një banor.

“Të ju them të drejtën prej kur është filluar ndërtimi i banesave atëherë i kanë asfaltuar edhe para tre viteve pak i sanuan ku kishte gropa dhe nga atëherë nuk kanë bërë asgjë”, u shpreh një tjetër banor.

Kjo lagje kryesisht është e banuar me maqedonas porKryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari tha se në asnjë mënyrë nuk i ndanë banorët në baza etnike në çdo fushë që mbulon komuna e Kërçovës, në arsim, sport, kulturë, çështje sociale apo infrastrukturë.

“Brenda lagjes ne kemi intervenuar disa herë por tani nëse ka vërejtje nuk është çështje rruge, është çështje e oborrit të asaj lagje ku ne jemi duke punuar jemi duke rregulluar çështjen e kanalizimit të ujërave të zeza të dy objekteve që janë në përfundim e sipër, ndërtesa kolektive dhe rregullojmë edhe ujësjellësin dhe derisa rregullohen këta çështje kemi te bëjmë me aktivitet të Ndërmarrjes Komunale”, theksoi Fatmir Dehari – Kryetar i Komunës së Kërçovës.

Së fundmi në territorin e Komunës së Kërçovës vazhdon dinamika e asfaltimit dhe shtrimit të rrugëve me pllaka bekatoni në disa lagje dhe fshatra të kësaj komune. Këtyre ditëve po zhvillohen edhe punimet në rrugën e Knezhinës për të cilën Tv21 raportoi kohë më parë.