Me vetëm 26 për qind të normës së përmbushur, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pushim ende pa i përfunduar punët e tij.
Nga janari deri më 3 gusht, në 27 seancat e mbajtura, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vetëm 26 ligje nga gjithsej 100 sa ishin paraparë.
Falë prioritetit të dhënë nga Qeveria, amendamentet për themelimin e Gjykatës Speciale e kanë dominuar gjithë punën e Legjislativit për këtë sesion.
Sipas vetë deputetëve, Kuvendi vazhdon të kontrollohet nga Qeveria, pavarësisht se kjo e fundit do të duhej t’i përgjigjej atij. Rasti i Gjykatës Speciale, sipas kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka shpërfaqur më së miri mungesën e autoritetit të Kuvendit.
E, deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, pohon se Legjislativi ka bërë një punë me ritme të çrregullta, duke i selektuar ligjet në varësi nga interesat e Qeverisë, përcjell koha.net. Ky dominim i Ekzekutivit mbi Legjislativin, sipas opozitës, po e bën Kosovën të rrëshqasë nga të qenët Republikë Parlamentare, drejt shndërrimit në Republikë Qeveritare.
