Kuvendi e verifikoi mandatin e deputetes Biserka Zllatevska! Boban Stojanovski emërohet zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kuvendit

TË FUNDIT

Kuvendi në kuadër të mbledhjes së sotme të 11-të njëzëri me 86 vota “për” e verifikoi mandatin e deputetes Biserka Zllatevska nga koalicioni “Maqedonia jote” i kryesuar nga VMRO-DPMNE. Ajo vjen në vendin e Ivan Zhivkovskit. 

Njëherësh, pa debat i shkarkoi zëvendësit e deritanishëm të sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Miki Millkovski dhe Nexhmedin Ibraimi dhe në vendin e tyre me 68 vota “për” zëvendëssekretar të përgjithshëm të Kuvendit e emëroi Boban Stojanovskin. Me emërimin e Stojanovskit i ndërpritet funksioni i anëtarit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. 

Kuvendi pa debat me 85 vota “për” e solli edhe vendimin për zgjedhje të kryetarëve, zëvendëskryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre në komisionet e Kuvendit.

Pa debat me 88 vota “për” Kuvendi e miratoi edhe vendimin për themelimin e grupeve parlamentare për bashkëpunim me parlamente të shteteve të tjera dhe për zgjedhje të anëtarëve dhe kryetarëve të grupeve parlamentare për bashkëpunim me parlamente të shteteve të tjera.