Bashkimi Demokratik për Integrim paralajmëron se do të kalojnë në veprim duke demonstruar pakënaqësinë e tyre për shkak se siç tha dje kreu i kësaj partie Ali Ahmeti, nuk është respektuar legjitimiteti i shqiptarëve dhe popujve tjerë që janë pjesë e Frontit Europian. Për koalicionin VLEN, pyet nëse oreksi për pushtet ose oreksi për rehati i bëri që të futen në Qeveri.
“Nuk e di çka ndodhi në kampin të quajtur opozitar, sepse opozitar asnjëherë nuk kanë qenë, të gjithë, kanë qenë të veshur me pushtet për 22 vjet dhe ju të gjithë e dini. Se çka i shtyri të bëjnë këtë gabim, këtë përgjigje duhet ta japin ata. Oreksi për pushtet, oreksi për rahati, apo çka tjetër?”, tha Ali Ahmeti.
Këtë pyetje ia parashtruam edhe ministrit të ri të shëndetësisë, Arben Taravari, pjesë e koalicionit VLEN. Taravari shprehet se nëse dikush ka pasur oreks për pushtet, ai është vet Ahmeti. Pret që të reformohen në opozitë dhe të nxjerrin kuadro të reja.
“Nëqoftëse ka pasur dikush oreks për pushtet, është padyshim z.Ahmeti, 22 vjet në pushtet. Unë i uroj shëndet dhe të jetë sa më i relaksuar, të jetë opozitar i vërtetë dhe konstruktiv. E bukura e politikës është ndonjëherë të jesh në pozitë e ndonjëherë në opozitë. Tash besoj se disa vjet z.Ahmeti do të punon me partinë e vet, do të nxjerrë kuadro të me kredibilitet dhe besueshmëri te qytetarët. Matja jonë e parë është në zgjedhjet lokale, ja ku janë në vitin 2025”, deklaroi Taravari.
Të njëjtën për BDI-në e dëshiron edhe kryeministri Hristijan Mickoski.
“Unë habitem si BDI, gjegjësisht udhëheqësia e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk nxori mësim se duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë në opozitë të reformohen, të rifreskohen edhe me kuadro edhe me program dhe në zgjedhjet e ardhshme të dalin dhe të ofrojnë zgjidhje më të mira kadrovike dhe programore. Habitem se si BDI i ndanë shqiptarët si askush deri më tani. Në shqiptarë të mirë dhe jo të mirë”, tha Mickoski.
Përndryshe kreu i BDI-së Ali Ahmeti dje thirri në takim këshillin e përgjithshëm të partisë, me qëllim që të jepen direktivat mbi punën që duhet të bëjë BDI pas zgjedhjeve të 8 majit dhe aktualiteteve politike. Ahmeti u ankua nga Mickoski se i njejti nuk ka respektuar vullnetin e popullit shqiptarë dhe kjo sipas tij, nuk prodhon stabilitet etnik brenda shtetit.
