“Ky është vendim skandaloz i Gjykatës dhe gjykatëses Suzana. Si mund të sillet vendim me nënshkrime dhe vulë të falsifikuar. Edhe nënshkrimi i Reisit gjithashtu është falsifikuar. Dhe si ka sjellë vendim gjykatësja pa miratim të BFI-së për dorëheqje që nuk ekziston”, tha Muamer Veseli nga BFI.
Ndonëse Muamer Veseli nga BFI insiston se dokumentet që i ka dorëzuar Skender Buzaku në gjykatë janë të falsifikuara, ky i fundit thotë se ato janë origjinale dhe se për personat që kanë falsifikuar do të fletë gjykata.
“Ata mund të falsifikojnë tani çfarë të duan vetë pikërisht kanë këmbëngulur që ta mbajnë në uzurpim objektin dhe për atë ata mund të bëjnë falsifikime tani. Këtyre akuzave mund të përgjigjemi se e gjitha kjo është në gjyq mund të bëjnë ekspertizë dhe të shihet në fund kush ka falsifikuar. Kemi përkrahje ne prej myftive prej anëtarëve të Rijasetit prej hoxhallarëve”, u shpreh Skender Buzaku.
Nga Gjykata Themelore Shkupi 2 përmes ueb faqes së tyre u përgjigjen në pyetjen e gazetarëve se a është falsifikuar akti i dorëheqjes së Reis Ulema Sulejman Rexhepit.
“Në lidhje me pyetjen e një pjese të mediave se a është e falsifikuar apo jo dorëheqja e parevokueshme e Reis Ul Ulema Sulejman Rexhepi, ju njoftomë se kjo mund të jetë lëndë në procedurë tjetër. Në procedurë në përputhje me Ligjin për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz, dhe të njëjtët i shpreh me Vendimin për ndryshim. Të gjitha vendimet në kërkesën për ndryshimin e Reis Ul Ulemasë janë me vulë të bashkësisë fetare dhe të evidentuara me numrin e regjistruar të bashkësisë”, thonë nga Gjykata Themelore Shkupi 2.
Dje në Gazetën Zyrtare është publikuar vendimi i Gjykatës Themelore Shkupi 2 – Shkup, për emërimin e Skender Buzakut si kryerës i funksiononit të Reis Ulemasë në Maqedoni.
Buzaku sot tha se pret që të kalojnë festat dhe të merr detyrën në Bashkësinë Fetare Islame.
Përgatiti: Afrim Jonuzi
