Kush është Muzafer Bajram?! Ministër pa resor apo ministër pa aktivitete?!

TË FUNDIT

Edhe një ditë e zakontë në lagjen Shuto Orizarë. Për qytetarët e kësaj lagje koha sikur kur nuk është ndalur. Gjatë vizitës sonë pamë rrugë të mbushura përplot, tezga të stërmbushura në treg. Thonë se edhe në kohë të pandemisë janë harruar nga institucionet kompetente.

Kalimtarët e rastit i pyetëm se a e njohin ministrin pa resor, i angazhuar për gjendjen e romëve, Muzafer Bajram dhe çfarë ka bërë ai për popullatën rome që kur është në këtë post.

Anketë me qytetarë:

  • Nuk e di, e di që Bajrami do festohet. Cili Bajram, ky që tani po agjërojnë? Nuk e di.
  • Nuk e dinë për shkak se ai nuk ka bërë asgjë për romët. Nuk është aktiv në punën e tij. —-
  • Asnjëherë nuk vjen në vizitë në Shutkë, të shohë romët si jetojnë. Askush nuk na ka vizituar, askush nuk na ka ndihmuar, ndihmojnë romët tanë që janë jashtë vendit.
  • Nëse nuk ka punësime. Romët më së shumti shkojnë nëpër kontejnerë. Nuk ka punë, ja djalin tim e kanë nxjerrë nga puna në kohë të korona virusit. Nuk merr as para, qëndron në shtëpi.

Secili ka të drejta civile në këtë vend, thonë qytetarët, por për fat të keq jo edhe romët.

Anketë me qytetarë:

Askush nuk i zgjedh problemet te romët për shkak se janë vrima e fundit e kavallit. Për romët askush nuk mendon, andaj romët janë më të varfëritë. Askush nuk na mendon neve romëve, andaj ne vrapojmë për një copë bukë.

Ministri Muzafer Bajram në postin ministror u emërua nga ana e Qeverisë në fund të vitit 2019. Paraqitja e tij e fundit ishte në konferencë për media të Qeverisë para katër muajve. Ku është dhe çfarë punon ky ministër i Qeverisë i angazhuar për përmirësimin e gjendjes së romëve në vend dhe pse e paguajnë qytetarët, TV21 kërkoi përgjigje personalisht nga ai.

“Siç thatë edhe ju vetë, nuk kemi ndonjë aktivitet të veçantë në këtë periudhë për shkak të korona krizës. Përndryshe unë si ministër dhe kabineti im në Komunën e Koçanit, përmes Ministrisë për transport dhe lidhje kemi arritur të transferojmë  16 milion denarë për pagesën e 23 njësive banesore”, tha Muzafer Bajram, ministër pa resor.

Bajram theksoi se para rreth tetë javëve, me ndihmën e ambasadorit turk janë ndarë 200 pako sociale, ndërsa edhe 100 pako shtesë ai personalisht i ka ndarë në lagjen e Topanës. Arsyeja pse romët nuk e njohin, sipas tij është fakti që nuk është shumë i eksponuar nëpër media dhe për shkak të buxhetit të dobët me të cilin disponon që tu dal në krah romëve.