Kur dikush ju ofendon në Ramazan, kështu mund të përgjigjeni – tregon kryemyftiu Qenan Ismaili

TË FUNDIT

“Ai që me kënaqësi dhe me bindje e kalon muajin e Ramazanit duke agjëruar, Zoti ua falë të gjitha mëkatet”.

Kështu e përshkruan me një fjalë, nëpërmjet një thënie të profetit të myslimanëve, Muhamedit, rëndësinë e muajit të shenjtë, hoxhë Qenan Ismaili, kryetar i Myftinisë së Shkupit.

Ai në emisionin e pasdites “Pastel” në TV21 tha se Ramazani është një mundësi për të gjithë, sepse secili individ “është i gabueshëm”.

Sqaron se myslimanët nuk agjërojnë vetëm duke qëndruar të uritur dhe të etur – me lukth, por edhe me gjymtyrë dhe gjuhë.

Ka një përgjigje të shkurtër për të gjithë individët që ofendojnë agjëruesit.

“Përderisa jemi njerëz, do të thotë edhe gabojmë. Për të gjithë ne është një mundësi shumë e mirë që brenda Ramazanit ne të pastrohemi nga gabimet tona dhe të ripërtërihemi shpirtërisht. Unë shpesh e përdori në intervista, se ne brenda Ramazanit mësohemi se si të jemi njerëz… Jashtë Ramazanit ndodh që ne me sjelljen tonë të shkelim mbi dinjitetin e tjetrit, ndoshta edhe të përbuzim, të nënçmojmë dikë, të përgojojmë dikë, dhe të gjitha këto që i bëjmë ne, brenda Ramazanit na kthen. Është një thënie e Pejngamerit që thotë se ‘Zoti nuk ka nevojë për urinë dhe etjen tënde, por Zoti e ka sjell Ramazanin që ju të arrini devotshmërinë, e devotshmëria arrihet kur ne do të agjërojmë jo vetëm me lukth, por edhe me gjymtyrët tanë, me gjuhën tonë. Shumë e bukur është një thënie e profetit Muhamed që thotë ‘Kur dikush ju ofendon brenda Ramazanit, pra ju nënçmon, ju duhet ta kini një përgjigje shumë të shkurtër – unë jam agjërueshëm”, tha Ismaili.