Kur autobusët në Tetovë do të bëhen falas? Kasami premtoi në seancën e parë të këshillit, por kjo nuk ndodhi!

TË FUNDIT

Në komunën e Tetovës u mbajtën dy seanca të këshillit komunal, e treta edhe e katërta me radhë, por në asnjërën në rend dite nuk ishte pika që transporti publik i qytetit të jetë falas.


Ky është një nga premtimet kryesore të kryetrait aktual Bilall Kasami, i cili në ditën e marrjes së mandatit tha se këtë premtim do e realizojë që në seancën e parë të këshillit komunal.


Zëvendëskryetari i komunës Albi Qamili pohon se ky vendim do të merret së shpejti dhe se në vitin 2026 do jetë realitet, por pa sqaruar se përse në dy seancat e sotme nuk ishte kjo pikë në rend dite.

“Pa dyshim se premtimet që kemi dhënë gjatë kampanjës zgjedhore do i shndrrojmë në vepra. Ne jemi duke punuar intensivisht në përgatitjen e dokumentacionit dhe kushtet e nevojshme se si duhet të funksionoj dhe mund të them se viti 2026 do të filloj me transport publik falas në Tetovë”, tha Albi Qamili zëvendëskryetar i Tetovës.

Nga Ndërmarrja për Transport Publik thonë se janë në pritje të vendimit të komunës pas çka do fillojë edhe zbatimi.

“Jemi në përgatitjen e planit apo masave që do jenë konform këtij vendimi. Do bëhet identifikimi dhe realizimi i këtij plani në afat sa më të shkurtër të mundshëm. Shpresojmë në realizim sa më të shpejtë të kësaj që të jemi në hap me vendimet dhe kërkesat që do na vijnë nga vetë komuna apo këshilli”, u shpreh Izer Kirmizi – drejtor i Transportit Publik të Tetovës.

Edhe pse edhe nga komuna, edhe nga Ndërmarrja thonë se ky projekt do nisë së shpejti, asnjëra nuk ishte në gjendje të përgjigjet se me çfarë mjetesh dhe si do kompensojnë humbjen që shënon Ndërmarrja që nga themelimi.