Komuna e Çairit ka njoftuar se gjatë ndërtimit të kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, drunjtë që ndodhen në zonën e ndërtimit nuk do të shkatërrohen. Ata do të zhvendosen dhe do të mbillen në parkun e ri “Rilindja” në Çair, duke u dhënë një jetë të re dhe duke shtuar hapësirat e gjelbra për qytetarët.
Sipas kryetarit të komunës, Izet Mexhiti, fillimisht do të zhvendosen 40 drurë, ndërsa më pas do të vazhdohet me rritjen e numrit të tyre, me qëllim që parku i ri të zhvillohet dhe çdo dru të gjejë vend të ri në lagje. Projekti synon kombinimin e investimeve infrastrukturore me ruajtjen e natyrës dhe gjelbërimin e zonave urbane.
“Krahas investimeve dhe projekteve infrastrukturore, kujdes i veçantë i kushtohet edhe ruajtjes së natyrës dhe shtimit të hapësirave të gjelbra. Drunjtë që ndodhen në hapësirat ku do të ndërtohet kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza” nuk do të humbin. Ata do të zhvendosen dhe do të mbillen në parkun e ri “Rilindja” në Çair, duke u dhënë një jetë të re në një hapësirë që do t’i shërbejë qytetarëve. Fillimisht do zhvendosën 40 drunj, dhe do të vazhdojmë me rritjen e numrit të tyre, me qëllim që parku i ri të rritet vazhdimisht. Qëllimi është që çdo dru të gjejë vend të ri në Çair, dhe të shtojë gjelbërimin në lagjet tona”, njoftoi Mexhiti.
