Nga veto në “dritë jeshile”, Sllovakia ndryshon lojën për huanë e Ukrainës

TË FUNDIT

Sllovakia duket se po ndryshon qëndrim lidhur me huanë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, duke sinjalizuar se nuk do ta bllokojë më vendimin.

Sipas raportimeve, ministri i Jashtëm Juraj Blanár ka deklaruar në parlament se Bratislava është gati të japë miratimin për këtë paketë financiare.

Megjithatë, autoritetet sllovake do të vazhdojnë të kundërshtojnë paketën e njëzetë të sanksioneve ndaj Rusisë, derisa të sigurojnë garanci për funksionimin e naftësjellësit “Druzhba”.

Ky zhvillim vjen pasi kryeministri hungarez Viktor Orbán pritet të largohet nga pushteti, duke e lënë Sllovakinë pa aleatin kryesor në këtë çështje.

Ende mbetet e paqartë nëse Hungaria do të tërheqë veton për huanë përpara këtij ndryshimi politik.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka bërë thirrje për zhbllokimin sa më të shpejtë të fondeve.

Ajo theksoi se përballë agresionit rus, përgjigjja e Bashkimit Evropian duhet të jetë më shumë mbështetje për Ukrainën dhe presion i shtuar ndaj Moskës.