Ku mbet ndërtimi i shkollës së Vizbegut? Ademi: Ka një ngecje në kompletimin e dokumentacionit!

TË FUNDIT

Ndërtimi i shkollës në Viezbeg të Shkupit po zvarritet për shkak të problemeve burokratike. Ka vite që premtohet objekti i shkollës por si duket nxënësit e kësaj lagje do të duhet edhe një kohë të gjatë që procesin mësimorë ta ndjekin nëpër shkolla të lagjeve tjera. Ministri i Arsimit Arbër Ademi thotë se zvarritja e shkollës po bëhet shkaku i kompletimit të dokumenteve.

“Saj përket shkollës së Vizbegut ka pasur momente pozitive aktivitete nga komuna e Butelit, por megjithatë shërbimet e mija më njoftojnë se ka një far ngecje ende jo kompletim të dokumentacionet planor. Do të duhet të bëhet pastrimi i parcelës dhe e njëjta nga komuna përmes Ministrisë së transportit ti jepet Ministrisë së Arsimit në mënyrë që ne të aplikojmë për leje për ndërtim”, deklaroi Arbër Ademi – ministër i Arsimit.

Të njëjtën gjë e tha edhe kryetari i komunës së Butelit Velimir Smilevskin në dhjetor të vitit të kaluar, që lë të kuptohet se ky problem nuk është zgjidhur edhe as pas 6 muajsh.

“Ka vetëm një problem me token, mendoj që në seancën e radhës të Qeverisë do të jepet toka dhe do të rregullohet kjo.  Mundet që edhe në seancën e sotme nëse ka do të jepet, mendoj që kjo është një punë teknike që patjetër duhet të kaloj duhet toka që ti kalojë Ministrisë së Arsimit që të mund ato të fillojnë ta ndërtojnë”, pati deklaruar Velimir Smilevski – Kryetar i komunës së Butelit.

U munduam sot të kontaktojmë edhe me Komunën e Butelit, por ishin të pa kapshëm dhe nuk iu përgjigjen thirrjeve tona.

Para disa muajve në këtë vend u vendos kanalizimi, me çka u rriten shpresat banorëve se mund të ndërtohet shkolla për fëmijët e tyre. Por siç duket nxënësit e Vizbegut edhe vitin e ardhshëm do të duhet të ecin mbi 4 km për të arritur në shkollën më të afërt.