KSHPK do të hetojë nëse ka përplasje të interesave te ministrja Angellovska

TË FUNDIT

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit hapi lëndë për rastin me ministren e Financave Nina Angellovskën me qëllim që të hetojë nëse ka përplasje të interesave, lidhur me veprimin e saj me mjetet të cilat i ka pasur në bankën “Eurostandard”, para se ajo të falimentojë.

Nga KSHPK për MIA-n konfirmuan se është hapur lëndë në nismë të tyre me qëllim që të ndriçohet i gjithë rasti në këtë rast që ka shkaktuar reagime në opinion.

KSHPK është në fazë të grumbullimit të të dhënave për lëndën nga Banka popullore dhe nga Ministria e Financave me qëllim që të konfirmohet nëse minsitrja ka pasur informacione se banka do të mbyllet, dhe për këtë i ka tërhequr mjetet e saj financiare apo megjithatë tejet normalisht i ka në dispozicion ato, që është e drejtë e secilit ka mjete në ndonjë bankë.

Nga KSHPK për MIA-n thonë se këtu nuk bëhet fjalë për vepër penale, por për veprim joetik nëse ministrja ka pasur informacione për dështimin e bankës, që gjithsesi duhet fillimisht të konfirmohet.

Problem do të ishte, sqarojnë nga KSHPK, nëse ministrja ka pasur informacion të tillë dhe ajo më tej ua ka shpërndarë  personave të tjerë për të tërhequr paratë.

Ministrja e Financave Angellovska dje i përgënjeshtroi informacionet të cilat u  plasuan lidhur me tërheqjen e mjeteve të saj nga banka “Eurostandard” e cila është në falimentim, duke theksuar se nuk është e saktë as shuma e cila theksohet në tekstet.

“Që nga viti i kaluar përmes gjysmës së atyre depozitave janë investuar në fondin investues. E vetmja që është e saktë deri më tani nga informacionet e plasuara është se kam pasur depozitë në bankën Eurostandard”, theksoi Angellovska.

Ajo theksoi se plotësisht është i pasaktë informacioni se mjetet e saj i ka transferuar në banka të tjera ose se i ka tërhequr.

“Është e vërtetë se pas marrjes së funksionit – ministre e Financave – këto mjete të mia personale, të fituara para se të bëhem ministre dhe rregullisht të raportuara, ishin dedikuar për investime në biznes, ndërsa pas marrjes së funksionit, pasi aktivitetet e mia afariste i vendosa në plan të dytë, një pjesë të atyre mjeteve vendosa t’i shfrytëzoj që ta zgjidh çështjen e banimit, gjegjësisht të blej një banesë personale duke pasur parasysh që jetoja me qira”, shpjegoi ministrja.