Kriza energjetike, tema e Këshillit të sigurisë. “Ky dimër do të jetë më i vështiri pas Luftës së Dytë Botërore”

TË FUNDIT

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në seancën e sotme të Këshillit të Sigurisë, në të cilën tema ishte kriza energjetike, masat dhe mënyrat e ballafaqimit, përsëritën se na pret dimri më i vështirë.

“Siguria e rrënuar në kontinentin europian për shkak të luftës në Ukrainë, shkaktoi ndryshime tektonike dhe disa kriza që ndihen në më shumë sektorë. Pas pandemisë, tani po ballafaqohemi me krizën më të madhe ekonomike dhe energjetike”, tha presidenti Stevo Pendarovski.

Kryeministri tha se Qeveria përmes masave antikrizë në mënyrë efektive po përballet me krizën e cila po zgjat më shumë kohë.  Siç thotë ai, këto masa kanë bërë që tronditjet e çmimeve të zbuten, edhe për qytetarët, edhe për ekonominë. Por, në nivel botëror situata është alarmante, çmimet në bursat janë tejet të larta. Ka problem me mungesë të energjisë elektrike. Javën e kaluar, shton Kovaçevki, nuk udhëtoi në Beograd në Samitin e “Ballkanit të Hapur” vetëm për shkak të veprimtarisë së eksportit të verës dhe ekonomisë, por edhe për dy çështje të rëndësishme.

“Për krizën energjetike, nevojat e shtetit tonë dhe për detyrat tona të brendshme ndaj qytetarëve për ushqim dhe produkte ushqimore, analizat dhe hapat adekuatë kanë rëndësi kyçe. Qeveria e di këtë dhe që nga dita e parë jemi duke punuar për t’u ballafaquar me këto sfida”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski, mes të tjerësh theksoi se EMV-ja do ta rrisë prodhimtarinë e energjisë elektrike për 25%. Rryma do të jetë e qasshme 24 orë dhe tarifa e lirë e energjisë do të vazhdojë. Kompanitë do të paguajnë energji elektrike më të lirë se çmimet e bursës. Kryeministri siguron se tash për tash nuk do të ketë kufizime. Akumulimet e hidrocentraleve janë në 50%  për shkak të ndryshimeve klimatike dhe thatësirës. Do të duhet të sigurohet mbështetje logjistike me vendet fqinje për transport të lëndëve të para, sepse të gjitha vendet janë në tregun për qymyr dhe mazut, gjë që shkaktoi mungesë të mjeteve transportuese në rajon, si dhe rritje të madhe të shpenzimeve për transport.
Krahas masave për kursim, kryeministri i lut qytetarët të mos nxjerrin kriptovaluta, pasi energjia elektrike është e subvencionuar.