Kovaçevski planifikon të takohet me Mickoskin, VMRO-DPMNE e bindur se nuk do të votohen ndryshimet kushtetuese

TË FUNDIT

Kur vendi është në prag të ndryshimeve kushtetuese kryeministri Dimitar Kovaçevski planifikon që në 10 ditët e ardhshme të realizojë një takim me liderin e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski. Kjo me qëllim që të bisedojnë për procesin integrues të vendit dhe ndërtimin e një qëndrimi për raportet me shtet fqinje.

 “Unë planifikoj edhe ta ftoj në 10 ditët e ardhshme, në takim, në të cilin do të flasim për dy tema. Tema e parë do të jetë…që unë do t’i propozojë si tema, normalisht si nikoqir, si kryetar i Qeverisë. Tema e parë do të jetë marrja e vendimeve të nevojshme për integrimin e RMV-së në BE dhe e dyta, harmonizimi i qëndrimeve për marrëdhënie me të gjitha shtete fqinje të RMV-së”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Gatishmëri për takimin shprehën edhe nga VMRO-DPMNE-ja. Nga kjo parti thonë se mes tjerash duan të diskutojnë edhe çka do të ndodhë pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese. Nga kjo parti janë të bindur se shumica nuk ka 80 vota për të miratuar përfshirjen e bullgarëve dhe pakicave tjera në Kushtetutë.

 “Kur është fjala për interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë, kryetari i VMRO-DPMNE Mickoski është i gatshëm të bisedojë në çdo kohë. Nëse ekziston dëshira për bashkim kombëtar dhe për t’u dëgjuar zëri i shumicës, pranojmë takim liderësh ku ndër të tjera duhet të shihet se çfarë do të bëhet në periudhën pas dështimit të atyre ndryshimeve kushtetuese për të ardhmen e qytetarëve që duhet të sigurohet”, thonë VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE kërkojnë që ndryshimet kushtetuese urgjentisht të vendosen në seancë plenare në Kuvend, e nëse të njëjtat nuk kalojnë, kryeministri Kovaçevski të jap dorëheqje. Derisa VMRO-DPMNE janë të bindur se këto ndryshime nuk do të kalojnë, kryeministri Kovaçevski është i bindur se ndryshimet do të ndodhin dhe se vendi do të vazhdojë rrugën drejt BE-së.