Kosta, kazanxhiu që shndërron hekurin në art! Historia e një shpirti krijues nga Kërçova

TË FUNDIT

Zanati i kazanxhiut është një nga më të vjetrit dhe është afër zhdukjes. Në Kërçovë këtë zeje po e mban gjallë Kosta Galimanovskin, duke mos e parë vetëm si profesion, por edhe art. Së fundmi ka hapur ekspozitën e tij të tretë, e cila këtë herë përçon një histori të veçantë.

“Unë jam gjenerata e gjashtë në familjen e kazanxhinjve por disi më duket pak kjo, dhe doja të bëja diçka plus dhe më erdhi ideja të bëja diçka përrallë që është e rëndësishme në jetë. Kjo është ekspozita e parë me hekur me stil e kuruar, plus material adekuat dhe kështu me radhë, ky material adekuat është shumë në thonjëza sepse nuk mund ta gjeni gjënë ose në moment nuk keni inspirim ta bëni të njëjtën”, tha Kosta Galimanovski, zanatçi.

Ideja për këtë ekspozitë ka lindur pikërisht në një moment reflektimi, kur ai vuri re se nuk mundej të hidhte disa copa të vogla metali që i kishin mbetur nga punët e përditshme.

“Unë do t’u thosha të rinjve diçka, çdo zanat është art përderisa e zotëronin zanatin është art, edhe stomatologjia është art, edhe berberi është art dhe çdo zanat tjetër është art”, pohoi Kosta Galimanovski, zanatçi.

Kështu, me mjeshtri dhe pasion, Kosta po e ruan gjallë jo vetëm zanatin, por edhe shpirtin prej artisti. Për të tillë si ai, shtëpia e kulturës në Kërçovë i ka gjithmonë dyert e hapura, na tha drejtori Mazllam Osmani.

“Kam vërejtur se ajo që kanë më së shumti nevojë është përkrahja e të gjithë artistëve sidomos në aspektin kur ata organizojnë aktivitete për të cilat qytetari nuk duhet të paguajë biletë, ne jemi bashkëpunëtor në atë drejtim dhe ju mundësojmë me aq mundësi sa kemi ne sepse këto hapësira janë krijuar mu për atë qëllim që të përkrahen artistët dhe talentet e reja”, u shpreh Mazllam Osmani, drejtor s Shtëpisë së Kulturës në Kërçovë.

Ekspozita përmban punime të bëra nga mbetjet e metaleve – bakër, bronz, hekur dhe të tjera që zakonisht përfundojnë hekurishte, por që për Galimanovskin përbëjnë një kujtim, një fragment pune dhe një pasuri shpirtërore.