Korrupsioni duhet të luftohet bashkërisht, ndërsa faji të mos i lihet vetëm politikanëve, porositi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai tha se korrupsion ka edhe në vendet më progrsive, por atje sipas tij luftohet nga të gjitha pjesëmarrësit në shoqëri.
“Lufta kundër krimit, korrupsionit dhe dukurive të shëmtuara në vazhdimësi duhet të luftohet, në vazhdimësi duhet të punohet dhe këtu të gjithë bashkë duhet të jemi, shoqëria civile, mediumet, sepse korrupsion ke edhe në shtetet e përparuara, mirëpo organizimi dhe mobilizimi është shumë më i lartë se në vendin tonë. Në komunikim të përhershëm janë mediumet, shoqëria civile, dhe gjithçka e keqe, gjithçka e shëmtuar bashkërisht duhet të luftohet dhe nuk duhet lënë përgjegjësin vetëm tek autoritetet politike”, tha Ahmeti.
Për deklaratën e Ahmetit reaguan nga ASh. Thonë se të korruptuarit nuk mund ta luftojnë korrupsionin, sepse janë pikërisht ata të cilët për 20 vite korrupsionin e kanë futur në çdo cep të sistemit.
“Korrupsioni nuk luftohet me kryetarët aktual të komunave që udhëhiqen nga BDI, mandatet e të cilëve “arritjen” më të madhe e kanë vetë korrupsionin. Mënyra e vetme për ta luftuar korrupsionin është humbja e zgjedhjeve nga BDI. Korrupsioni do të merr goditjen fatale nga qytetarët në zgjedhjet lokale dhe më pas edhe në ato parlamentare. Deklarata e Ali Ahmetit se kjo çështje nuk duhet t’i lihet vetëm politikës, është vetëm një tentim për t’ua hedhur fajin edhe mediave, sektorit civil dhe qytetarëve”, thanë nga ASh.
Me afrimin e datës për zgjedhje lokale, partitë politike kanë filluar fushatën e parakohshme zgjedhore, ndërsa kanë intensifikuar edhe akuzat dhe kundërakuzat. Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon më 27 të këtij muaji, 20 ditë para ditës së votimit, përkatësisht 17 tetorit.
