Kontesti Maqedoni-Bullgari para zgjidhjes?! Të dy kryeministrat optimistë, pas zgjedhjeve vazhdojnë bisedimet

TË FUNDIT

Qeveria në Sofje ka për qëllim ta vazhdojnë kursin e deritanishëm në lidhje me Maqedoninë, respektivisht ta mbrojë interesin kombëtar bullgar në mënyrë sa më të mirë, theksoi kryeministri teknik i Bullgarisë, Stefan Janev në një deklaratë për BNT, duke shtuar, se nuk duhet lejuar që kontesti të bartet në BE.

 “Ne duam dialog të qartë, duam të ndalet gjuha e urrejtjes, duam të ndalet edukimi i brezave me urrejtje ndaj shtetit fqinj, duam të ndalet sjellja e keqe ndaj njerëzve të cilët deklarohen si bullgarë etnikë në atë vend. Këto gjëra do t’i zgjidhim përmes një dialogu, do ta gjejmë formulën shpresoj se në një të ardhme të afërt, sepse për momentin ka zgjedhje lokale në Maqedoni të cilat do të mbahen kah mesi i tetorit. Kështu që, pas kësaj periudhe, fundi i tetorit ose nëntor, dialogu mund të marrë kuptim tjetër”, tha Stefan Janev – kryeministër teknik i Bullgarisë.

Ndaj deklaratës së këtillë, reagoi kryeministri i vendit Zoran Zaev, duke thënë se “pas zgjedhjeve në të dyja vendet, do të ketë shans të mirë që të arrihet zgjidhje për bllokadën e Bullgarisë për eurointegrimet e Maqedonisë”.    

 “Deklaratën e homologut tim Janev e pranoj si një mesazh të mirë dhe pozitiv, sepse me të vërtetë jemi duke u lëvizur në drejtim pozitiv. Edhe pse komisionet teknike të të dy ministrive për Punë të Jashtme janë duke punuar, sërish mund të them se kjo është rruga. Me bisedë dhe dialog të arrihen zgjidhjet”, potencoi Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Sa i takon Marrëveshjes me Bullgarinë do të nevojitet kombinim nga presioni i fortë ndërkombëtar dhe aftësi diplomatike për t’i gjetur formulimet të cilat do t’i kënaqin të dyja palët, por nuk jam i sigurt se pala bullgare do të mbetet e kënaqur me këtë, thotë profesori universitar Nenad Markoviq në një intervistë për radion “Evropa e Lirë”.

 “Unë nuk mendoj se duhet të arrihet ndonjë zgjidhje tjetër. Duhet të gjenden shumë formulime specifike dhe inovative që do të ishin të pranueshme për të dyja palët. Kam përshtypje se Bullgaria megjithatë nis nga skenari që të na nënçmojë në një farë mënyre, përkatësisht të pranojmë diçka që është ofenduese”, theksoi Nenad Markoviq – profesor universitar.

Presidenti Pendarovski, për veton e Bullgarisë dhe perspektivën evropiane, komenton se për fat të keq, situata na pengon që t’i fillojmë negociatat aderuese, edhe pse vendi tashmë  i ka plotësuar të gjitha parakushtet. Po ashtu u shpreh optimist se me Qeverinë e re në Sofje do të vazhdojnë negociatat, duke porositur se zgjidhja duhet të harmonizohet me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.

 “Do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë konstruktive gjatë bisedimeve me Sofje. Zgjidhja për negociatat me Bullgarinë duhet të harmonizohet me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes dy vendeve dhe ta respektojë të drejtën për vetëpërcaktim të kombit tonë si dhe identitetin nacional dhe gjuhën maqedonase. Shpresojmë se pas zgjedhjeve bullgare do t’i vazhdojmë negociatat me presidentin e ri dhe qeverinë e re e cila do ta ketë shumicën në Parlamentin bullgar”, tha Stevo Pendarovski – president i Maqedonisë së Veriut.

Përndryshe në Bullgari për herë të tretë këtë vit më 14 nëntor do të mbahen zgjedhje parlamentare, bashkë me ato presidenciale.