Këshilli Gjyqësor gati ta kthejë Damevën si kryetare/ Dameva: Ende nuk e kam marrë vendimin zyrtar me shkrim

TË FUNDIT

Këshilli gjyqësor është gati ta kthejë Vesna Damevën në vendin e kryetares, nëse me të vërtetë ashtu qëndron në vendimin e Gjykatës Administrative. Nga Këshilli Gjyqësor thonë se ende nuk kanë marrë vendim me shkrim nga Gjykata, ndërsa e njejta duhet të dorëzohet tek të gjitha palët gjatë kësaj jave.

“Këshilli Gjyqësor ende nuk e ka marrë vendimin. Pasi ta merr, do ta shqyrtojë dhe më pas do ta vendosë në seancë. Varësisht çfarë do të përmbajë, do të veprojmë në afatet ligjore.”- thanë nga Këshilli Gjyqësor.


Televizioni 21 kontaktoi edhe vet ish kryetaren e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. E njejta nuk deshti të komentojë asgjë lidhur me këtë vendim, me arsyetim se edhe ajo nuk ka marrë vendim zyrtar me shkrim nga Gjykata Administrative dhe të gjitha informacionet që i di janë ato që janë publikuar në media. Sipas VMRO DPMNE-së zhvillimet në këshillin gjyqësor në sytë e opinionit përshkruhen me fjalët “nga zbrazëtira në zbrazëtirë”

“Rasti me Vesna Damevën dhe vendimi i Gjykatës Administrative tregon vetëm se, nëse në Këshillin Gjyqësor shkarkohet kryetar, nëse punohet në mënyrë joligjore dhe sillen vendime në kundërshtim me normat e shkruara, çfarë mbetet për qytetarin e thjeshtë i cili kërkon drejtësi para cilësdo instancë të gjyqësisë maqedonase. Shkarkimi i Damevës, dorëheqja e mëparshme përshkak presioneve politike dhe biznesore mbi Crvenkovskën, zgjedhja e kryetarit të Këshillit pas Damevës, dhe tani vendimi i Gjykatës Administrative, në sytë e opinionit vendas dhe ndërkombëtar përshkruhet me fjalët “nga zbrazëtira në zbrazëtirë”- tha Naum Stoillkovski – Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.


Përndryshe shkarkimi i Damevës u cek edhe në raportin e Komisionit Europian për vitin 2023, ndërsa edhe presidenti i vendit Stevo Pendarovski, pati deklaruar se me veprime të tilla ulet kredibiliteti dhe besimi mbi këshillin gjyqësor dhe sistemin e drejtësisë. Vendimin e djeshëm të Gjykatës Administrative, e përshëndeti edhe ministri i drejtësisë Krenar Lloga. Sipas Llogës, ky vendim ngjallë shpresë për rikthimin e besimit te institucionet dhe respektimin e parimit të shtetit ligjor.