Kërçovë, kënd përkujtimor për mësuesin e parë shqiptar!

TË FUNDIT

Pertef Abaz Therepeli është mësuesi i parë shqiptarë në Kërçovë i ardhur nga Skrapari i Shqipërisë i deleguar nga ministri i atëhershëm i Shqipërisë për t’i pajisur me dije gjeneratat e këtij vendi.

Më rastin e 7 Marsit ditës së mësuesit në SHF “Naim Frashëri” në fshatin Jagoll u inaugurua këndi përkujtimor, kushtuar këtij mësuesi i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit në Kërçovë.

 “Gjithmonë jemi munduar të zgjedhim këtë vend, si vend përcjelljes i mesazhit të këtyre mesazheve që kanë në bërthamën e saj argumentin që flet më së shumti. Sot kemi këtu plot argumente në këtë kënd kushtuar babait të kësaj shkolle dhe babait të të gjitha shkollave tona”, tha Fatmir Dehari – Kryetar i Komunës së Kërçovës.

Ai ka punuar si mësues deri në vitin 1972 kur edhe u nda nga jeta dhe u varros në fshatin Jagoll të Kërçovës. Nxënësit e tij të cilët ende kryejnë misionin si arsimtarë në këtë shkollë, e kujtojnë me mall.

 “Kjo ndoshta është pak për meritat që ka ai duhet edhe më tepër të bëjmë për të”.

Gjithashtu gjatë ditës me rastin e 8 Marsit Komuna e Kërçovës dekoroi Sanije Sadikun si femrën e parë shqiptare në nivel shteti, e cila dy mandate radhazi ka udhëhequr ish-Komunën e Osllomesë.

Dehari thotë se në  komunën e Kërçovës gruaja në proceset vendimmarrëse është prezente dhe përfaqësimi nëpër institucione është i barabartë.

“Komuna e Kërçovës apo mjedisi ynë ku jetojmë ne më së bukuri e përcjellë mesazhin për aspektin e gruas në shoqëri të nënës, qoftë në familje apo në barazi gjinore apo në proceset politike dhe ato vendimmarrëse”, shtoi kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.

Gjatë ditës në këtë qytet janë realizuar aktivite të ndryshme kushtuar 7 dhe 8 Marsit.