Kërçova në hall me mbeturinat, Nuredini tregon ligjet, por jo planet për menaxhim të mbeturinave!

TË FUNDIT

Kërçovarët prej dekadash përballen me problemin e mbeturinave.

Në çdo fshat, lagje dhe rrugë mund të shohim deponi të vogla të krijuara vend e pa vend.

Ky është një shqetësim i madh për banorët e ndërgjegjshëm të cilët disa herë janë ngritur në këmbë për të parandaluar këtë fenomen, duke kërkuar zgjidhje nga Komuna e Kërçovës.

Ky problem është shqetësim i madh edhe për Komunën e Kërçovës tha Fatmir Dehari. Siç thotë ai me vite të tera mundohemi të gjejmë një zgjidhje por që menaxhimi me mbeturinat në këtë qytet është i vështirë. Dehari tha se pret nga qeveria të gjej zgjidhje për deponi rajonale.

 “Nuk kam arritur për të pasur një zgjidhje të përkohshme, tanimë kemi bërë zgjidhje improvizuese që nuk janë të pëlqyeshme as për mua por megjithatë për mos me i lënë mbeturinat vend e pa vend, kemi bërë të pa mundurën ti largojmë së paku nga mesi I banorëve ku jetojnë”, deklaroi Fatmir Dehari – Kryetar i Komunsë së Kërçovës.

Kompetencat për menaxhim me mbeturinat në rajone, vite më parë i ka marrë qeveria. Por deri më tani nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete se si do të menaxhohen të njëjtat në gjithë vendin.

Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini në pres konferencën e parë për media nuk dha ndonjë plan konkret për menaxhimin me mbeturinat. Ai vetëm tregoi ligjet për dënime në rast se i hedhim të njëjtat vend e pa vend.

 “Të hedhësh mbeturina në vend e pa vend është jo legjitime dhe nuk lejohet, të ndezësh zjarre gjithashtu është kundër ligjit. Do të kërkojmë dhe kërkojmë nga institucionet ta kryejnë punën e tyre pa marrë parasysh a flitet për zjarrfikësit, policinë apo për institucionet lokale ata duhet patjetër ti kryejnë obligimet e tyre”, u shpreh Naser Nuredini – Ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Por jo vetëm kaq! Në fshatin Zajaz  edhe Stadiumi i Zajazit i cili dikur shfrytëzohej për lojëra sportive është shndërruar në një deponi të vërtetë. Banorët duke mos pasur se ku ti hedhin mbeturinat, me mjete të renda i transportojnë në këtë stadium. Mbeturinat e hedhura në rrugë kishin bllokuar edhe rrugën e cila të çon deri atje.  Nëse këto veprime të banorëve duhet të sanksionohen me ligj, atëherë lind pyetja ku duhet t’i hedhin mbeturinat banorët?