KE: Përhapja e Omicron nuk mund të parandalohet

TË FUNDIT

Përhapja e Omicron, llojit të ri të koronavirusit, është e pamundur të parandalohet.

Lajmi është bërë me dije nga zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer në një konferencë për mediat, i cili ndër të tjera deklaroi se masat e marra do të ndihmojnë në kufizimin e tij sa më shumë të jetë e mundur.

Ishte e detyrueshme të merreshin disa masa, jo për ta mbajtur virusin jashtë Evropës apo pjesës tjetër të botës, pasi të gjithë e kuptojnë se një gjë e tillë është e pamundur, por për të ngadalësuar sa më shumë përhapjen e tij dhe për t’u dhënë kohë autoriteteve shëndetësore evropiane dhe ofruesve tanë të vaksinave të përshtaten”, tha ai.

Siç vuri në dukje edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkencëtarëve u duhen dy deri në tre javë për të studiuar mutacionin e ri të koronavirusit.

Në këtë kohë, është shumë e rëndësishme të zvogëlohet numri i kontakteve dhe nëse do të jetë e mundur, të vaksinohen njerëzit kundër Sars-Cov-2.

Sipas saj, prodhuesit e vaksinave duhet të fillojnë menjëherë t’i përshtasin produktet e tyre me llojin e ri Omicron.

Bashkimi Evropian dhe shumë vende të tjera, duke përfshirë edhe Rusinë kanë ndaluar udhëtimet nga disa vende afrikane.

Ta paktën 44 persona kanë rezultuar të infektuar me llojin e ri të koronavirusit, Omicron. Ata janë identifikuar në disa vende të Bashkimit Evropian, por asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur ndonjë problem serioz për jetën.