Kasami thotë se e uli borxhin e komunës për €6 mln/ Kasami: Qeveria nuk na e fali borxhin, por do ta paguajmë me këste 

TË FUNDIT

Borxhi i komunës së Tetovës për dy vite ka shënuar ulje nga 14 milionë në 8 milionë euro, tregoi kryetari i komunës Bilall Kasami, gjatë një takimi me gazetarë. Sipas tij, kjo është bërë falë menaxhimit të mirë, rritjes së pagesës së tatimeve dhe uljes së shpenzimeve të panevojshme. Kasami, ka sqaruar se udhëheqësia e kaluar i ka paguar një përmbaruesi 1.2 milionë euro mjete për projekt që nuk është realizuar. Krahas kësaj, i tërë borxhi nuk është evidentuar dhe është tentuar të fshihet, theksoi Kasami. Më tej ai ka sqaruar edhe çështjen e pagesës së borxhit përmes fletëobligacionit me Qeverinë dhe Ministrinë e Financave. Sipas tij, qeveria nuk ia ka falur ato mjete komunës, por komuna për dhjetë vite me radhë do të duhet çdo vit të paguajë nga 400 mijë euro qeverisë e cila më pas do të bëjë pagesën e borxhit kompanisë. 

“Përderisa sa të vij unë, edhe qeveria edhe komuna kanë qenë të një partie politike dhe ne e dimë se qeveria e ka paguar gjysmën e borxhit dhe për dy vite, komuna e ka dyfishuar borxhit, në atë rast pse qeveria në atë kohë nuk dalë dhe të thotë se ata e kanë zvogëluar borxhin. Tash më vjen mirë që lëvdohen, por cila komuna tjetër që udhëhiqet nga BDI-ja e ka shfrytëzuar këtë instrument. Aq paskan qenë dorëlirë dhe i kanë paguar borxhin vetëm komunës së Tetovës dhe Zhelinës, ku janë komunat e BDI-së të cilët e dimë se janë deri në fyt në borxhe.”- deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Në këtë takim me gazetarët, i pari i Tetovës theksoi se fletëobligacionet nuk jepen si para prandaj edhe kryetarët e komunave tjera nuk kanë qenë të interesuar, sepse nuk mund t`i keqpërdorin.

“Me intensitetin e punëve që bëjmë në pjesën e infrastrukturës edhe Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore ka asfaltuar disa rrugë në Tetovë. Po ku ishin ta bëjnë të njëjtën. Prandaj edhe njëherë e them që në këtë rast që tash komuna e Tetovës ka një menaxhment të ri në krye të komunës së Tetovës dhe e detyrojmë qeverinë edhe ajo të ketë qasje më ndryshe ndaj Tetovës. Sepse qeveria ka qenë e njëjtë para se të vijmë ne në krye të komunës së Tetovë por e ka injoruar totalisht komunën e Tetovës”- tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Kasami nënvizoi faktin se një vit është punuar me sektorin e financave dhe buxhet që të marrë këtë fletëoblogacion. Parësore për të marrë fletëobligacionin nga ana e qeverisë ka qenë marrëveshja me bizneset, që sipas Kasamit me pjesën dërmuese të këtyre bizneseve ka marrëveshje që borxhi të paguhet në këste dhe nuk janë shantazhuar bizneset se kur do të bëhet pagesa të kërkohet përqindje.