“Why Agency” shënon 10 vite sukses! Mbi 200 klientë dhe prezencë në mbi 13 tregje

TË FUNDIT

Why Agency ka shënuar dhjetëvjetorin e themelimit me një event ku u mblodhën anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të ekipit, klientë, partnerë, bashkëpunëtorë dhe miq që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të agjencisë ndër vite, përcjell TV21. Dhjetëvjetori u shënua përmes një ekspozimi të momenteve, projekteve dhe materialeve nga historia e agjencisë, duke sjellë në një vend kujtime dhe etapa të ndryshme të zhvillimit të saj.

Gjatë eventit u prezantuan edhe disa nga shifrat që karakterizojnë rrugëtimin e Why Agency deri më tani: Mbi 200 klientë, punë në më shumë se 13 tregje, si dhe dy çmime bronzi në A’ Design Awards.

Por fokusi i mbrëmjes nuk ishte vetëm te e kaluara. Me rastin e 10-vjetorit, Why Agency prezantoi identitetin e saj të ri vizual, i cili synon të pasqyrojë mënyrën se si agjencia funksionon dhe qasjen që dëshiron të ndjekë në të ardhmen.

“Gjatë këtyre dhjetë viteve kanë ndryshuar shumë gjëra, por më së shumti ka ndryshuar mënyra se si mendojmë. Sot shumë më shpesh fillojmë me pyetjen se çfarë duhet të zgjidhet realisht dhe vetëm më pas kalojmë te ideja, dizajni, përmbajtja apo fushata. Donim që edhe Why më në fund të dukej kështu”, tha themeluesi i Why Agency, Rilind Hoxha.

Pyetja “why?” mbetet në qendër të identitetit të agjencisë, ndërsa struktura e re është organizuar në pesë fusha kryesore: Strategji, kreativitet, përmbajtje dhe produksion, rritje dhe eksperienca. Sipas agjencisë, këto fusha nuk funksionojnë të izoluara, pasi projektet shpesh kërkojnë kombinimin e disa prej tyre për të adresuar në mënyrë të plotë nevojat e klientëve.

Në kuadër të dhjetëvjetorit u prezantua edhe Why Wear, marka e veçantë e Why Agency për veshje dhe produkte. Fitimi nga shitjet e saj do të dedikohet për blerjen e mjeteve shkollore dhe pajisjeve për nxënësit e klasës së parë nga familje që kanë nevojë për mbështetje.