Qeveria: Maqedonia me një nga normat më të ulëta të inflacionit në Evropë, ekonomia tregon shenja stabilizimi dhe rritjeje

TË FUNDIT

Inflacioni vjetor në Maqedoninë e Veriut në gusht të vitit 2026 ka arritur në 2.6%, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2022 ishte 16.8%, sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet, përcjell TV21. Nga Qeveria thonë se ulja e ndjeshme e inflacionit tregon për zbutjen e presioneve mbi çmimet. Sipas tyre, norma e inflacionit në vend është më e ulët se ajo e vlerësuar në eurozonë, e cila në gusht ishte 3.3%. Në korrik, inflacioni në Maqedoninë e Veriut ishte 2.3%, ndërsa në eurozonë 2.9%.

Sipas të dhënave të publikuara deri tani nga Eurostat, norma më të ulëta se Maqedonia në gusht kanë pasur Finlanda me 2.4%, Malta me 1.9% dhe Estonia me 1.3%. Qeveria thekson gjithashtu se prodhimi industrial në korrik është rritur me 1.3% në bazë vjetore, ndërsa në shtatë muajt e parë të vitit rritja ka qenë 0.9%.

Sipas ekzekutivit, këta tregues tregojnë për një stabilizim të inflacionit dhe përmirësim të aktivitetit ekonomik, ndërsa politikat ekonomike, sipas tyre, synojnë ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe nxitjen e investimeve dhe rritjes ekonomike.