Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov me deklaratat e tij për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip, po përpiqet ta mbulojë dështimin e tij me tema etnike, thotë një prej liderëve të VLEN-it Bilall Kasami, duke paralajmëruar se Fillkov do të përfshihet në rikonstruimin e Qeverisë.
“Është e njohur publikisht se një nga ministrat që do të përfshihen në rikonstruimin e Qeverisë do të jetë edhe ministri i Drejtësisë. Shoh se po përpiqet ta shfrytëzojë dobësinë e tij, dështimin e tij, duke e kthyer çështjen në tema ndëretnike, për të fituar më shumë pikë politike nga një pjesë e komunitetit maqedonas, duke u përpjekur ta arsyetojë shkarkimin e tij eventual me “këtu desha ta mbroj gjuhën maqedonase”, tha Bilall Kasami.
Po a mund të ndodh kjo vërtetë? E pyetëm kryeministrin Mickoski, i cili ktheu me ironi.
“Nuk e di, ndoshta duhet ta pyesni zotin Bilall Kasami”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Ironik ndaj Kasamit ishte edhe Ministri i Drejtësisë Fillkov.
“Kur të jetë Bilall Kasami kryeministër, atëherë ndoshta ai do të tregojë kush do të jetë ministër e kush jo. Deri atëherë, sundimi i ligjit, respektivisht respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve, do të vlejë për të gjithë”, tha Igor Fillkov.
Kasami nuk deshi t’i përgjigjej sot këtyre fjalëve të Fillkovit, por vetëm se gjithçka që kishte për të thënë e ka shprehur në Click Plus në TV21 dhe se tani është i fokusuar në mbledhjen e kryesisë së Lëvizjes Besa, ku do të diskutohet për përgjegjësinë e funksionarëve të tyre në Qeveri.
