Kaos në Bullgari! Një person vdiq derisa priste rend për të blerë vaj (VIDEO)

TË FUNDIT

Një burrë 77-vjeçar ka ndërruar jetë derisa priste rend për të blerë vaj gatimi në një supermarket në Bullgari, transmetojnë mediat bullgare.


Në rrjetet sociale qarkullojnë video dhe fotografi në të cilat mund të vërehen turma dhe përleshje fizike në shumë shitore në mbarë vendin, pasi shumë qytetarë nxituan ta shfrytëzojnë promocionin prej 2.99 levë për një shishe vaj, përcjell TV21. Rendi ishte i gjatë rreth 300 metra. Pas pritjes së gjatë, njeriu ka vdekur në momentin kur ka arritur t’i afrohet vendit ku ishte vendosur vaji, përcjellin mediat e atjeshme.

Në vendngjarje ka ardhur edhe Ndihma e Shpejtë, ku mjekët e kanë konstatuar vdekjen e burrit.


“Burri ndërroi jetë në dyqan. E shtynë dhe ai u alivanos. Ishte çmenduri e vërtetë. Njerëzit thoshin se ka rënë dhe ka vdekur. Rendi ishte shumë i gjatë”, tha një nga blerësit dhe dëshmitar okular i ngjarjes tragjike.

Kolona të gjata për blerje të vajit ka edhe në qytete të tjera të Bullgarisë, kurse disa shitore në kryeqytet kanë kufizuar sasitë e vajit për shitje.