Shkup, vapa rrit ndërhyrjet e ndihmës së shpejtë! Kolapse në autobusë e vende publike, mjekët kërkojnë kujdes

TË FUNDIT

Vetëm sot deri në mesditë, ekipet e ndihmës së shpejtë mjekësore në Shkup kanë intervenuar në katër raste, ndërsa në nivel ditor informojnë se kanë nga 200 thirrje. Një prej rasteve është një e moshuar e cila ka pësuar kolaps  në autobus urban dhe ka marrë lëndime në kokë, tregon doktori Rihad Rexhepi. Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin kanë ndikuar në rritjen e numrit të thirrjeve në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë dhe intervenimeve, kryesisht te personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe qytetarët që janë ekspozuar për një kohë të gjatë në diell.

“Përveç që kanë kolapse nga humbja e vetëdijes, pësojnë edhe lëndime të ndryshme, vetëm sot kishim tre katër raste të tilla, të cilët kanë marrë edhe lëndime në kokë, të gjithë pacientët janë dërguar në spitalet përkatëse, gjithashtu është rritur edhe numri i personave të cilët kërkojnë vetëm për konsultime, sepse për shkak të temperaturave të larta, kanë variacione të tensionit arterial”, u shpreh Rihad Rexhepi – doktor, Ndihma e Shpejtë-Shkup.

Sipas mjekëve, më të shpeshta janë rastet e dehidratimit, lodhjes nga të nxehtit, rënies së tensionit, marramendjes dhe përkeqësimit të gjendjes te pacientët me sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore. Për të lënë hapësirë për rastet më urgjente, mjeku Rexhepi apelon që fillimisht konsultat të bëhen me mjek amë.

“Kemi nga të gjitha moshat, normal më shumë janë personat e moshuar ata që paraqiten për këshilla, sepse jetojnë vetë dhe nuk kanë familjarë që t’i dërgojnë për t’ua blerë terapinë e duhur ose nuk e kanë marrë terapinë për një muaj dhe konsultohen sit ë veprojnë me atë terapi që e kanë në shtëpi. Në vende publike më së shumti paraqiten persona të moshës së shtyrë, domethënë më së shumti në autobusë”, shtoi Rihad Rexhepi – Doktor, Ndihma e Shpejtë-Shkup.

Rexhepi u bënë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet në orët më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të respektojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore. Kujdes i veçantë rekomandohet për të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, të cilët konsiderohen kategoritë më të rrezikuara nga temperaturat e larta.