Kallëzimi penal ndaj Blerim Bexhetit, deputeti thotë se vendimet janë në përputhje me ligjin

TË FUNDIT

Para disa ditëve MPB ngriti kallëzim penal ndaj Blerim Bexhetit  për dyshime se si si kryetar i Komunës së i ka mundësuar një subjekt përfitim të paligjshëm prej 42,8 milionë denarësh, duke miratuar dy herë vendim për regjimin e qarkullimit pa kryer mbikëqyrjen e nevojshme, dhe pa verifikuar nëse kërkesat ishin në përputhje me Planin Urbanistik të fshatit Gllumovë.

Në një konferencë për media Bexheti mohoi akuzat duke thënë se sipas ligjit për këtë çështje kompetente është Komuna e Sarajit, dhe se ekziston dokument zyrtar i nënshkruar nga ministri i atëhershëm Blagoja Boçvarski, që e vërteton këtë. Ai tha se fillimisht kërkesa ka shkuar te Qyteti i Shkupit, por ky institucion e ka dërguar te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

“Më pas edhe ministria me shkresë zyrtare ka konstatuar se organ kompetent është komuna  e Sarajit dhe për këtë siç ua tregova ka edhe dokument. Pas kësaj lënda është përcjellë në komunën e Sarajit. Komuna e sarajit në përputhje me procedurën projektin në SPB shkup, nga SPB shkup është dhënë pëlqim pozitiv nga MPB”, tha Blerim Bexheti, deputet i BDI-së.

Bexheti e konsideron presion kallëzimin penal, duke komentuar deklaratën e Kryeministrit Mickoski ku tha se ka ndjenjën se së shpejti funksionarë të lartë të qeverisë së mëparshme do të përfshihen në ndjekje penale.

“Kur një kallëzim paralajmërohet me ndjenja, sepse kryeministrin e kemi me ndjenja paraprakisht nga politika dhe më pas realizohet nga institucionet atëherë nuk kemi të bëjmë me drejtësi kemi të bëjmë me presione. Për këtë do të bëj padi penale të pastër për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Pançe Toshkovskit”, u shpreh Blerim Bexheti, deputet i BDI-së.  

Nga VLEN reaguan duke thënë se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk po mbron më popullin, por ekskluzivisht po mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit.

“Reçica e Vogël është në gjendje paniku klinik, sepse Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mbron më popullin, por ekskluzivisht mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit. Derisa institucionet më në fund po e zbërthejnë nyjën kriminale shumëvjeçare, kjo parti po i kthehet konfigurimit të saj të vetëm të fabrikuar, përhapjes së lajmeve të rreme dhe shtirjes si viktimë politike”, thonë nga VLEN.

Më herët ka pasur edhe një kallëzim penal ndaj Blerim Bexhetit dhe shtatë të tjerëve për keqpërdorim detyre në Komunën e Sarajit nga Drejtoria e Policisë Financiare.