Ushqim për foshnje tërhiqet nga tregu në Austri, konstatohet prania e helmit për minj në një kavanoz

TË FUNDIT

Prodhuesi i ushqimit për foshnje HiPP ka tërhequr nga tregu disa produkte në Austri, pasi autoritetet kanë raportuar praninë e helmit për minj në një nga kavanozët e kompanisë, përcjell TV21.

Sipas raportimeve, HiPP njoftoi të dielën se ka tërhequr të gjitha produktet e ushqimit për bebe të shitura në dyqanet që operojnë nën rrjetin SPAR në Austri, përfshirë edhe EUROSPAR, INTERSPAR dhe Maximarkt.

Kompania zvicerane, e cila e quan veten markë lider botërore në ushqimin organik për foshnje, tha se tërheqja nuk lidhet me probleme të cilësisë në procesin e prodhimit.

“Kavanozat kanë dalë nga fabrika e HiPP në gjendje të rregullt. Tërheqja lidhet me një akt kriminal që po hetohet nga autoritetet,” thuhet në deklaratën e kompanisë.

Ndërkohë, kompania shtoi se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet hetuese dhe për shkak të hetimeve nuk mund të publikojë më shumë informacione.

Paralajmërimi i policisë

Autoritetet në Burgenland të Austrisë kanë paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes pasi një kavanoz me “Karrota me patate” ka rezultuar pozitive për helmin e minjve pas analizave laboratorike.

Sipas tyre, kavanozi ishte raportuar nga një konsumator dhe nuk ishte konsumuar.

Edhe në Çeki dhe Sllovaki janë sekuestruar kavanoza të dyshuara të HiPP, ku është zbuluar një “shtesë toksike” e paidentifikuar.

Autoritetet kanë këshilluar qytetarët të mos përdorin kavanoza që kanë: etiketë të bardhë me rreth të kuq në fund, kapak të dëmtuar, mungesë të vulës së sigurisë, ose erë të pazakontë.

Ministria e Shëndetësisë në Çeki tha se janë sekuestruar dy kavanoza të kontaminuara dhe po merren masa parandaluese për vlerësimin e rrezikut.

Agjencia Austriake për Shëndet dhe Siguri Ushqimore u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast të simptomave të helmimit të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

Simptomat e helmimit nga helmi i minjve mund të përfshijnë gjakderdhje, dobësi ekstreme dhe zbehje, dhe zakonisht shfaqen 2–5 ditë pas konsumimit.