Pas fitores së ish-presidentit bullgar Rumen Radev në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën dje në Bullgari, vlerësohet se ai do të ketë 130 vende deputetësh. Kjo do të jetë e mjaftueshme për Radevin me koalicionin e tij “Bullgaria Progresive” që vetë të formojë Qeveri.
“Duhet të dini se Bullgaria do të bëjë përpjekje të mbetet në rrugën evropiane, por, më besoni, për një Bullgari të fortë dhe një Evropë të fortë nevojitet mendim kritik dhe pragmatizëm, sepse Evropa u bë viktimë e ambicies së vet për të qenë lider moral në botën pa rregulla”, tha Rumen Radev, president i “Bullgarisë progresive”.
Radev, i cili në marrëdhëniet me Maqedoninë konsiderohet person me qëndrime të ashpra, mori urime nga politikanët e Maqedonisë, por edhe mesazhe se pritet të ketë zbutje të dialogut. I pari sot në mëngjes i ka uruar përmes telefonit kryeministri Mickoski me mesazh për tejkalimin e çështjeve të hapura. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova thotë se me Radevin deri tani nuk kanë gjetur mirëkuptim, dhe nuk ia ka harruar as incidentin me flamurin maqedonas.
“E kam njohur zotin Radev, shumë herë e kam takuar, nuk pajtohemi për shumë gjëra, por dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin. Pres të shihemi, të bisedojmë, sigurisht me dy flamujt dhe të kërkojmë një zgjidhje të re”, tha Gordana Siljanovska Davkova, presidente e RMV.
Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski paralajmëroi dinamikë pas kontakteve me Bullgarinë menjëherë pas formimit të Qeverisë.
“Ne menjëherë pas formimit të Qeverisë do të ndërmarrim veprime dhe masa për zhvillimin e dialogut dhe shpresojmë se mund të gjendet një zgjidhje e drejtë që e konfirmon dëshirën tonë për përparim drejt rrugës eurointegruese, por duke marrë parasysh edhe vetërespektin ndaj identitetit, gjuhës dhe historisë sonë”, deklaroi Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme .
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi shpreson se Bullgaria më në fund do të ketë qeveri stabile me të cilën do t’i mbyllim çështjet me fqinjin tonë lindor. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Gashi tha se Kuvendi do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, por më parë të kemi garanci nga Bullgaria.
“Rruga evropiane është pjesë e agjendës sonë, por dilemat që i kemi duhet t’i zgjidhim me qeveri stabile politike. Shpresoj se do t’i tejkalojmë dhe se do ta kapim trenin e parë për zgjerim dhe të jemi pjesë e atij procesi. Kuvendi është menjëherë i gatshëm për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por duhet të ketë marrëveshje që në të ardhmen të mos ketë çështje të tilla për identitetin”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Radev i fitoi zgjedhjet në Bullgari pas pakënaqësisë së madhe të qytetarëve dhe protestave masive për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, që solli disa vite krizë politike dhe pamundësi për formim Qeverie. Ai më herët dha dorëheqje nga funksioni i presidentit të Bullgarisë, pas së cilës formoi edhe partinë me të cilën doli në zgjedhje.
