Ulen çmimet e karburanteve në Maqedoni, rafineritë greke kanë rezerva vetëm për dy muaj

TË FUNDIT

Siç pritej, Komisioni Rregullator i Energjetikës uli çmimet e karburanteve për 1,5 denar për litër. Nga mesnata, Eursuper BS – 95 do të kushtojë 80,5 denarë për litër, ndërsa 98-shi 82,5 denarë. Po ashtu ulet edhe çmimi i dizelit, i cili nga mesnata do të kushtojë 94 denarë për litër.

Këto janë çmimet pa zbritjen e OKTA-s prej tre denarësh për dizelin dhe dy për benzinën, me çka karburantet do të jenë më të lira për këtë shumë.

Por derisa Komisioni Rregullator konfirmoi atë që Qeveria e paralajmëroi gjatë fundjavës, bursat botërore nuk po qetësohen. Çmimi i naftës për fuçi u rrit dhe deri në mbylljen e këtij materiali shënoi rritje prej rreth pesë dollarësh krahasuar me të premten, duke arritur në 95 dollarë për fuçi Brent.

Ndërkohë, lajme të këqija vijnë nga fqinji ynë jugor, ku një burim i paidentifikuar nga sektori i rafinerive për gazetën greke “Kathimerini” deklaron se rafineritë në Greqi, të cilat janë katër, kanë rezerva nafte për dy muajt e ardhshëm.

KATHIMERINI:

“Jemi plotësisht të siguruar për dy muaj. Nëse lundrimi në Ngushticën e Hormuzit nuk rikthehet, situata më vonë do të bëhet më e vështirë.”

Gjendja e prodhimit të karburanteve në Greqi është shumë e rëndësishme për Maqedoninë. Distributorët e Maqedonisë 70 deri 80 për qind të karburanteve i furnizojnë nga rafineria OKTA, e cila është në pronësi të kompanisë greke Hellenic Petroleum.

Gjithashtu, gjatë fundjavës dhe javëve të fundit, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Maqedonia nuk ka pengesa në furnizimin me derivate nafte dhe se në rast nevoje në dispozicion janë rezervat shtetërore, të cilat mbulojnë rreth 62 ditë nevojash, si dhe sasitë në produktovodin Selanik–Shkup për një deri dy javë.

Për më tepër, kompanitë e vendit sipas ligjit kanë obligim të kenë rezerva operative për pesë ditë, ndërsa sipas informacioneve ato kanë edhe rezerva komerciale për një deri dy javë.

Megjithatë, problem shtesë mbetet situata me kerozinën në Bashkimin Evropian, e cila mund të ndikojë edhe në ekonominë e vendit.

Sipas komisionerit evropian për energji, Dan Jorgensen, Evropa po kalon nga kriza e çmimeve të larta drejt një krize të mundshme furnizimi, që fillimisht mund të ndihet te karburanti ajror.

 “Po kalojmë nga kriza e çmimeve të larta drejt krizës së furnizimit. Kjo do të ndihet së pari te karburanti ajror dhe po afrohet shumë shpejt”, u shpreh Dan Jorgensen, komisioner evropian për energji.

Se situata është serioze e konfirmon edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të shqyrtuar gjendjen energjetike në vend.

 “Shumë shpejt do të thërrasim Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të shqyrtuar çështjen e sigurisë së furnizimit”, shtoi Friedrich Merz, kancelar i gjermanisë.

Gjendja energjetike në Bashkimin Evropian dhe në Gjermani është shumë e rëndësishme për Maqedoninë, pasi çdo çrregullim në ekonomitë e tyre mund të sjellë rrezik edhe për ne. Të dhënat tregojnë se rreth 60 për qind e tregtisë së Maqedonisë është me BE-në, ndërsa rreth 40 për qind e eksportit përfundon në tregun gjerman.